Nga 1 janari Qeveria planifikon ta rris akcizën e naftës për tre denarë, kumtoi sot ministri i Financave Dragan Tevdovski duke e prezantuar Propozim-buxhetin për vitin 2018.

Tevdovski tha se nuk pritet asnjë lëvizje inflacioni dhe se opinioni mund të jetë i qetë.

“Nuk presim që kjo të çojë deri në presion inflacioni sepse nafta është një pjesë e energjensave së bashku me energjinë elektrike të cilat në çmime marrin pjesë me 10 për qind, ndërsa ajo që ne e propozojmë ka të bëjë vetëm me një pjesë të naftës, jo me benzinën dhe energjinë elektrike. Gjithsesi kjo është një pjesë e vogël e paraparë në projeksionin tonë për inflacionin prej 1,7 për qind”, deklaroi ministri Tevdovski.

Me rritjen e akcizës dhe TVSH-së çmimi i diselit do të jetë më i lartë për 3,5 denarë. Këtë e kumtoi ministri i Financave, Dragan Tevdovski në debatin e sotëm publik në të cilin prezantohet Propozimi buxheti për vitin 2018.

Shkak për rritjen e akcizës, siç tha Tevdovski, janë rekomandimet e BE-së për mbrojtjen e mjedisit jetësor dhe uljen e ndotjes.

Efekti i pritur nga rritja e akcizës në Buxhet për vitin 2018 të cilin sot e prezantoi Ministra e Financave do të arrijë 1,6 miliardë denarë, ndërsa nga TVSH-ja 350 milionë denarë dhe me këtë do të ketë të ardhura shtesë për Ndërmarrjen Publike për rrugët shtetërore.