Telekomi dhe One-Vip nuk do të kenë obligim t’i mundësojnë policisë sekrete kushte teknike që të përgjojë përmes rrjetave të tyre. Ndryshimet në propozim- ligjin për komunikime elektronike që janë vendosur në regjistrin e vetëm elektronik të rregullave, parashikojnë fshirjen e Nenit kontestues 175, i cili operatorët i obligonte që pajisjen e përgjimit ta blejnë në llogari të tyre, komunikimet t’i ndjekin në kohë reale ndërsa biseda të jetë e arritshme për DSK-në menjëherë pas përfundimit të komunikimit. Pasi opinioni të shqyrtojë ndryshimet e ligjit, propozimi me siguri kah mesi i dhjetorit do të dërgohet në seancë qeveritare ku pritet që ndryshimet të hyjnë në fuqi pas Vitit të Ri. Ekspertët e sigurisë konsiderojnë se fshirja e Nenit 175 nga ligji për komunikime elektronike, ka zhbllokuar reformat në shërbimet e kundërzbulimit.

Vetëm operatorët celular do të kenë mundësi të menaxhojnë me sinjalin, dhe ata do të vendosin dhe do të miratojnë që dikush ta ndjekë sinjalin, gjegjësisht të përgjojë dhe ta ndjek komunikimin elektronik, vetëm ai që pranë operatorit celular do të dorëzojë urdhër gjyqësor se për një numër të caktuar lejohet nga gjykata, nën dyshimin se dikush ka bërë vepër penale- deklaroi Lubomir Gjurçevski – ish kryeshef në MPB.

Alsat M tashmë publikoi se Komisioni Evropian është i pakënaqur nga ritmi i reformave në DSK. Misioni i BE-së ka njoftuar Qeverinë për vërejtjet e ekipit të komisarit Han, se procesi po zhvillohet shumë ngadalë, ndërsa Kuvendi nuk ka kontroll ndaj policisë sekrete. Në dokument, mes tjerash thuhet se BE nuk dëshiron të shfrytëzohet gjatë procesit të reformave që të pastrohen kuadrot e vjetra në DSK, të vendosura nga VMRO-DPMNE.

Unë pritja në këto gjashtë muaj, më saktë pas 27 prillit ku një numër i caktuar i kolegëve dhe punonjësve që u përfshinë në një mënyrë apo tjetrën në kryerjen e atyre veprave penale, dhe pjesa më e madhe e atij kuadri duhej të pastrohet në MPB- shtoi Lubomir Gjurçevski.

Krahas gjyqësorit dhe administratës publike, reformat në shërbimet e kundërzbulimit janë një prej prioriteteve që Han qartë i theksoi javën e kaluar në Shkup./alsat-m