Gjykata Themelore e Prishtinës, ka lëshuar dje urdhërarrest për tre deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, Donika Kadaj-Bujupi dhe Albulena Haxhiu.

Gjyqtari Beqir Kalludra urdhëroi arrestimin e deputetëve Kurti, Kadaj-Bujupi dhe Haxhiu madje u caktoi edhe paraburgim, për shkak të mos paraqitjes së tyre në seancën gjyqësore ndaj hedhjes së gazit lotsjellës.

Mirëpo, Policia e Kosovës deri më tani nuk ka pranuar asnjë urdhërarrest nga gjykata lidhur me këtë. Kështu ka bërë të ditur për Telegrafin, zëdhënësja e policisë Flora Ahmeti.

“Ne si polici nuk kemi pranuar kurrëfar urdhërarresti”, ka thënë Ahmeti.

Kjo ndoshta është edhe arsyeja përse sot deputetët e Vetëvendosjes nuk janë arrestuar tek sa kanë hyrë në Kuvend.