Policia greke nuk lejoi rreth 200 emigrantë dhe kërkues të azilit të nisen nga Selaniku drejt kufirit me Maqedoninë, ku dëshiruan të organizojnë protestë për shkak të pamundësisë për t’u larguar në vende të tjera evropiane.

Dhjetëra policë nga radhët e njësisë për luftë me trazira, shfrytëzuan mburoja për t’i parandaluar emigrantët të nisen nga qendra e Selanikut. Policia ua bllokoi rrugën edhe me automjete policore. Emigrantët, mes të cilëve edhe familje me fëmijë, refuzuan të shpërndahen dhe u ulën në rrugë. Në konfrontimin e shkurtë me policinë nuk ka të lënduar.

Emigrantët, prej të cilëve shumica nga Siria, Iraku dhe Somalia, u tubuan gjatë ditës në Selanik. Shumica e tyre theksuan se me këtë i përgjigjen thirrjes së publikuar në rrjetet sociale për protestë në kufirin mes Greqisë dhe Maqedonisë. Ata kishin planifikuar të ecin në këmbë rreth 70 kilometra, deri në vendkalimin kufitar Idomeni, ku vitin e kaluar pati disa kampe refugjatësh, të cilat ndërkaq u mënjanuan pas mbylljes së të ashtuquajturës rutë ballkanike.

Zëvendësministri grek për Emigrim, Janis Balafas, dje ishte për vizitë në Selanik, ku e promovoi programin për deportim vullnetar, me të cilin mundësohet që emigrantët të kthehen në shtëpitë e tyre.

“Greqia u transformua nga një vend transit për emigrantët, në vend kua ata janë të robëruar”, theksoi Balafas.

“Për këtë shkak, programi vullnetar për kthim mund të jetë shumë më i dobishëm”, theksoi ministri grek.

Dhjetëra mijë refugjatë dhe emigrantë për momentin janë të ngujuar në Greqi, në pamundësi të shkojnë drejt destinacioneve të tyre të dëshiruara në Evropë, pasi që vendet i mbyllën kufijtë tokësor në fillim të vitit të kaluar.