Saim Jonuzin e njohin të gjithë në Mitrovicë. Madje, e njohin mirë edhe disa reporterë.

Ai ishte i suspenduar disa herë nga Policia e Kosovës, por është kthyer sërish, shkruan gazetametro.net.

Jonuzi kishte pasur problem me ligjin pasi ishte përfshirë në një veprimtari të dyshimtë në Mitrovicë, e për të cilat inspektorati policor e kishte suspenduar.

I njëjti bëri bujë pasi goditi një reporter në stadiumin ‘Adem Jashari’, e për të cilën gjë po ashtu u suspendua, shkruan Metro.

Por, ai gjeti zgjidhje. Ai u transferua në njësitin special të Policisë në Prishtinë, pasi disa suspendime kishin bërë që të mos kishte vend në Mitrovicë.

Polici i njëjtë ishte sot para Kuvendit ku mori pjesë në arrestimin e Albin Kurtit. Madje ai u pa me një sjellje jo të zakonshme që u kap nga kamerat.

Siç shihet nga fotografitë, Jonuzi e kap për fyti deputetin e VV’së, Driton Çaushi, dhe e tërheq zvarrë. Për këtë pati disa reagime nga deputetët e tjerë, mirëpo me këtë veprim polici e ndau Çaushin nga Kurti, me ç’rast u mundësua arrestimi.

Ndryshe, Saim Jonuzi kishe qenë pjesë e UÇK’së në rajonin e Shalës së Bajgorës, ku edhe ishte plagosur, ndërkaq tash gëzon statusin e veteranit.