Eurodeputeti slloven dhe kryetar i delegacionit të PE-së për Maqedoni, Alojz Peterle në bisedë për RTVM foli për gjendjen aktuale në Maqedoni, me porosi drejtuar liderëve politik të Maqedonisë të ndajnë ambicie të njejtë evropiane dhe se dëshiron që politika e Maqedonisë të demonstrojë unitet për rrugën e Maqedonisë drejt BE-së.

Eurodeputeti slloven dhe bashkëkryesues i Komitetit të përzier parlamentar Maqedoni-BE, që duhet së shpejti të mbajë takim, thotë se shpreson se do të përmbushen të gjitha kushtet për mbajtjen e tij.

Lidhur me gjendjen politike në vend, Peterle thotë se ka stabilizim të dukshëm të të njëjtës, por vështirë është të thuhet nëse Maqedonia ka dalë tërësisht nga kriza. “Shumë gjëra u ndryshuan, shpresa është se Maqedonia do të nisë përpara dhe se problemet e hapura do të fillojnë të zgjidhen”, thotë Peterle.

Në pyetjen nëse e tërë kjo do të kontribuojë që Maqedonia të nisë më shpejt në proceset e eurointegrimeve, Peterle vlerëson se kjo varet nga vetë shteti, me çfarë dinamike do të përparojë.

Sipas studimit universitare të profesorëve nga universiteti Sen Galen në Zvicër dhe në Eseks të Anglisë, parashihet që Maqedonia të jetë vendi i vetëm kandidat i gatshëm për anëtarësim në BE rreth vitit 2023, pa u marrë parasysh me atë rast çështjet politike, siç është çështja e emrit.

“Maqedonia para dhjetë viteve ishte vendi-kandidat i përgatitur më së miri. Nuk dua të flas shumë për data, madje edhe kur flitej për Slloveninë, unë çdoherë thoja – kur do të jetë e gatshme Sllovenia, duhet të jetë e gatshme edhe BE-ja. Ia dëshiroj këtë edhe Maqedonisë. Në atë kuptim Maqedonia garon me veten e saj, ndërkaq sa i përket çështjes së emrit nga disa politikanë dhe profesionistë të ndryshëm, dëgjova sinjale të cilat e përforcojnë optimizmin se atmosfera do të përmirësohet dhe se gjërat do të marrin kahje tjetër. Do të thotë nuk jam i vetmi që shpreson se pas hapave të parë megjithatë do të vihet deri te zgjidhja që do ta ndihmojë Maqedoninë”, tha ai.

Për idenë për takim të partive politike të Maqedonisë me përfaqësues të Parlamentit Evropian dhe BE-së në afërsi të Parisit, në shtëpinë e Zhan Monesë, eurodeputeti slloven theksoi se kjo është mundësi që politikanët të afrohen dhe të takohen me praktikën dhe me idetë nga vetë fillimi i Unionit.

Për porosinë të cilën do të donte t’ia dërgojë miqve të tij dhe partive politike si dhe liderëve të tyre në Maqedoni, Peterle thotë se ajo është njëjtë si edhe më parë.

“Porosia ime, do të thosha, çdoherë është e njëjtë – është mirë që të gjitha forcat politike në Maqedoni të ndajnë ambicie të njëjtë evropiane. Më kujtohet si ishte në Slloveni dhe në disa vende të tjera, çështja për BE-në neve nuk na ndau, kishim koordinim i cili funksionoi mirë, në të merreshim me të gjitha çështjet më të rëndësishme dhe kjo ishte mirë. Do të doja që politika e Maqedonisë të demonstrojë unitet në rrugën e Maqedonisë drejt BE-së”, tha Peterle. Fillimisht takimi i komitetit të përzier parlamentar Maqedoni-BE, ishte paraparë gjatë sesionit të dhjetorit në Strasburg, por me qëllim që ai të përgatitet më mirë, tani për tani nuk është konstatuar datë e re, por pritet që të mbahet sa më parë.