Presidenti çeçen Ramazan Kadirov edhe më tej do të mbetet në funksion, deklaroi sot zëdhënësi i Kremlinit, Dmitrij Peskov.

“Kadirov planifikon të veprojë ashtu siç do t’i urdhërojë presidenti (i Rusisë) Vlladimir Putin”, deklaroi Peskov, duke e komentuar paralajmërimin e presidentit çeçen për tërheqje nga funksioni.

Kadirov dje deklaroi se dëshiron ta braktis funksionin e presidentit, pasi ka ardhur koha për ndryshime në Çeçeni.

“Kjo është ëndërra ime. Të jesh në krye të rajonit dhe të bartet përgjegjësi për njerëzit, për Republikën, para të Madhërishmit dhe para udhëheqësisë së shtetit – është shumë rëndë”, deklaroi Kadirov në intervistë për televizionin Rusia 1.

Рамзан Кадиров

Ai theksoi se nuk është i lodhur dhe nuk është e saktë se më nuk dëshiron të punojë, por thjeshtë njerëz si ai kanë qenë të nevojshëm në një moment kur duhej “të luftojnë dhe të vendosin rend”.

Ramazan Kadirov është presidenti i Çeçenisë nga shkurti i vitit 2007, pasi paraprakisht nga marsi i vitit 2006 ishte kryeministër çeçen. Ai është djali i presidentit të parë çeçen, Ahmad Kadirov.