Deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu vizitoi nga afër dhjetra familje shqiptare të dëmtuara rëndë nga përmbytjet në Greqi.

Shehu shprehu ngushëllimet për viktimat dhe solidaritetin me familjet e prekura nga përmbytja.

“Fillova këtë vizitë pune në Athinë me takimin me bashkatdhetarët e përmbytur e të dëmtuar rëndë në Mandra. Ishte një fatkeqësi shumë e rëndë natyrore, që bëri të humbin shumë jetë njerëzish, si dhe solli dëme të pa llogaritshme materiale për të gjithë, greke e shqiptare. Ngushëllimet më të thella për viktimat! Të gjithë solidaritetin të dëmtuarve nga Kryetari Basha, nga PD, dhe nga unë personalisht”, tha Shehu.

Ai apeloi për ndihmë nga qeveria dhe Shtetit Shqiptar për familjet shqiptare që ndodhen në vështirësi, për tejkalimin e kësaj situate të vështirë.

“Është e domosdoshme edhe një mbështetje aktive e konkrete nga Shteti Shqiptar si dhe institucione të ndryshme tonat. Kryqi i Kuq i Shqipërisë mund të luajë një rol të rëndësishëm në tejkalimin e këtyre pasojave shkatërrimi e vuajtjeje për ata qytetarë. Shpresoj që normaliteti të kthehet sa më shpejt në Mandra”, tha Shehu.