Nga Arian Galdini
Nuk është e vërtetë se kombi shqiptar ka 2 Qeveri. Janë në fakt 5, Qeveritë që kanë punë me shqiptarët. Çdo nënvleftësim apo mospërfillje e kësaj të vërtete, bën që e gjithë paradigma e aspiratave tona kombëtare por edhe e qeverisjes se drejtë, demokratike dhe në liri e me dinjitet të plotë njerëzor të shqiptarëve, të ndërtohet mbi themele të gabuara.
A jam unë nacionalist, në kuptimin e një idealisti dhe aktivisti që do kombin e tij përmbi gjithçka, e që urren a përçmon gjithëkënd e gjithçka tjetër që është apo vjen nga kombe të tjera, sidomos ato fqinje?
Jo. Jo dhe vetëm jo
Jam kombëtarist që e dua kombin tim mbi gjithçka timen. Nuk urrej e as përçmoj askënd për shkak të dashurisë për kombin tim. Madje parimin e dinjitetit njerezor e besoj të plotë për çdo qenie njerëzore në këtë planet.
Jam kombëtarist i rritur, mëkuar dhe ndërtuar vetëm nga arsyet e dashurisë, identitetit të qartë dhe motivimet e mbara të lartësimit të të drejtave dhe dinjitetit njerëzor.
Nuk ka në botë person, fuqi a interes që mund të ma lëkundë mua këtë ekzistencë si kombëtarist nga dashuria për kombin tim dhe njeriun si qenie.
Ndaj ti rikthehemi arsyetimit parësor, duke mos lënë qime personale në duart e askujt që do të kërkojë ta rrjepë këtë reflektim publik.
Qeveria e Shqipërisë është padiskutim Qeveria më përfaqësuese e kombit shqiptar. Kjo nuk vjen për meritë të vetë Qeverisë, por si rrjedhoje logjike e fakteve historike dhe gjeostrategjike.
Qeveria e Kosovës është qeveri me Kryeministër e me shumicë dërrmuese e shqiptarëve, por i duhet të meret jo vetëm me punët e shqiptarëve, përpos atyre të pakicave që jetojnë atje.
Qeveria e Maqedonisë është qeveri me Kryeministër sllavo-maqedonas, shumicë sllavo-maqedonase, e megjithatë ka edhe përbërje të ndjeshme të shqiptarëve. Kjo qeveri ka punë me sllavo-maqedonasit dhe shqiptarët kushtimisht, e nuk mund të anashkalojë pakicat e tjera.
Qeveria e Malit të Zi ka KM dhe shumicë dërrmuese malazeze, ama e ka edhe një ministër shqiptar brenda saj e duhet te kujdeset normalisht edhe për rreth 7% të popullsisë së Malit të Zi që është shqiptare.
Ndërkohë që Qeveria e Greqisë ka veçantësinë që edhe pse nuk ka asnjë shqiptar, së paku të njohur formalisht si të tillë, ka shumë punë që e lidhin me shqiptarët që jetojnë atje si arvanitas, të padeklaruar, çamë ortodoksë, emigrantë, si edhe me pronat e pasuritë e shqiptarëve përfshirë këtu edhe çështjen çame.
Ky parashtrim na ndihmon të kuptojmë se asnjë deklaratë e shitur si patriotike për kinse 1 komb me 2 qeveri, nuk është e tillë, pra nuk është në të vërtetë patriotike. Është aktoreske dhe patetike, ama kurrësesi patriotike.
Që 2 qeveri të bashkojnë një komb, u duhet të jenë përfaqësuese tërësore të këtij kombi.
Jemi të gjithë të qartë se Qeveria e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës përfaqësojnë shumicën absolute të shqiptarëve e për rrjedhojë kanë edhe detyrimin politik dhe institucional që të kujdesen e marin vendime të forta për të gjithë shqiptarët kudo që ata ndodhen.
Që ta bëjnë këtë, u duhet të dyja qeverive që  ndërsa punojnë e bashkërendohen për marrëveshjet dytësore, me karakter ndërshtetëror, të nisin projektimin e politikave të përbashkëta të buruara e ndërlidhura me aspiratat tona kombëtare.
Janë shumë të domosdoshme edhe marrëveshjet ndërshtetërore nëse zhvillohen dhe zbatohen përpikmërisht në kohën e kornizat sipas nënshkrimeve.
Sidoqoftë, që të mos rrezikojmë rënien në përdorim simbolikash dhe aktesh politike me sfond patriotik për arsye të politikave dhe marketingut ditor, ka rëndësi madhore të kërkohen dhe bashkërendohen projekte thelbësore me burim dhe qëllimësi, aspiratat tona kombëtare.
E di që do të më thonë se do bashkohemi kur të jemi pjesë e familjes europiane si anëtarë të BE me të drejta të plota.
Por nuk mund të rri pa iu përgjigjur atyre që thonë e mendojnë kësisoj: Po si mund të integrohemi pa u bashkuar? E nëse projekti i integrimit europian bëhet i gjatë, plot kthesa e të paditura, si mund të bashkohemi pa u integruar? A kemi ne si shqiptarët një projekt tonin, një axhendë tonë në njëfrekuencim me partnerët dhe aleatët tanë strategjikë SHBA, UK dhe BE por edhe të përgatitur për çdo variabël të panjohur gjeostrategjik?