Kina përgënjeshtroi sot akuzat se ka braktisur iniciativën e saj për të ulur tensionet mbi dosjen bërthamore të Koresë së Veriut, duke kundërshtuar fjalime të dykuptimshme të presidentit amerikan, Donald Trump.

Pekini përpiqet prej shumë muajsh të arrijë një moratorium të dyfishtë, ndalimin e testeve balistike dhe bërthamore të Phenianit, si dhe ndalimin e manovrave ushtarake amerikano-koreanojugore në brigjet e Gadishullit Korean.

Donald Trump kishte lënë të kuptohej të mërkurën se presidenti kinez Xi Jinping, të cilin e kishte takuar javën e kaluar në Pekin gjatë një turi në Azi, kishte braktisur këtë plan.

“Presidenti Xi pranon se një Kore e Veriut që posedon armën bërthamore është një kërcënim për Kinën dhe ne kemi rënë dakrod që nuk do të pranojmë më një të ashtuquajtur moratorium i dyfishtë si ato që kanë dështuar vazhdimisht në të kaluarën”, kishte deklaruar presidenti amerikan.

Por, zëdhënësi i Ministrisë kineze të Punëve të Jashtme, Geng Shuang njoftoi sot se “pozicioni i Pekinit mbi këtë dosje mbetet i pandryshuar dhe i qartë”.

“Ne mendojmë se në situatën aktuale, iniciativa e një moratoriumi të dyfishtë është ideja me realiste, me e realizueshme, më e drejtë dhe më legjitime”, theksoi Geng gjatë një konference për shtyp.

“Kjo do të mundësonte krijimin e mundësive dhe kushteve për të riamrrë bashkëbisedimet për paqe”, vazhdoi zëdhënësi.

Kina do të dërgojë të premten në Korenë e Veriut një përfaqësues special të presidentit kinez Xi Jinping.