Urdhër-arrestet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda për ish-drejtues të lartë të policisë, duket se do të pasojnë edhe të tjera.

Ish-ministri i Brendshëm Dritan Demiraj, në emisionin “Kjo javë” në “News24”, tha se së shpejti pritet që të dalin urdhër-arreste për ish-drejtues të lartë të vendit.

Ai tha se Prokuroria e Krimeve të Rënda pritet të lëshojë urdhër-arreste për disa ish-drejtues qarqesh. Por Demiraj shtoi, se edhe këta persona janë larguar jashtë vendit.

Duke bërë apel që Prokuroria dhe SHÇBA mos “t’ia pasojnë topin” njëri-tjetrit sa i takon rasteve të dekonspirimit të operacioneve për kapjen e personave të dyshuar, ai tha se situata të tilla duhet të marrin fund.

Ish-ministri Demiraj tha se duhet të tregohet kujdes, jo vetëm për këtë rast, të tre ish-zyrtarëve, por edhe për persona të tjerë që pritet të arrestohen në kuadër të këtij operacioni.