Në vazhdim të vizitës së tij zyrtare në Maltë, ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, njëherësh zëvendëskryeministër i vendit, Behgjet Pacolli, u prit sot në një takim të veçantë edhe nga ministri i Jashtëm dhe i Promovimit të Tregtisë së Maltës, Carmelo Abela.

Pacolli fillimisht e ka falenderuar homologun e tij për pritjen, mbështetjen e palëkundur dhe të gjithanshme nga ky shtet, ndërkohë që ka kërkuar që mbështetja e njëjtë të vazhdojë edhe më tutje, në vecanti në lidhje me prioritetet strategjike të Kosovës sic është anëtarësimi në organizata ndërkombëtare dhe forcimi i subjektivitetit ndërkombëtatarë të Kosovës, bën të ditur një komunikatë nga MPJ.

Pacolli i përcolli ministrit Abela edhe ftesën për të vizituar Kosovën, gjë e cila është pranuar me kënaqësi.

Në kuadër të vizitës së tij në Kosovë, Abela, me propozim të Pacollit, do të shoqërohet me biznese nga Malta, në mënyrë që të organizohet një Forum Ekonomik në mes dy vendeve respekive.

Gjatë takimit, Abela ka rikonfirmuar qëndrimin se Malta do të vazhdojë që ta mbështesë Kosovën në lidhje me anëtarësimin në Organizata Ndërkombëtare, procesin e integrimit në strukturat evro-atlantike, përfshirë mbështetjen për liberalizimin e vizave dhe se Malta është e hapur për të shikuar rrugët dhe mundësitë, që shpiejnë drejt thellimit dhe zgjerimit të mëtutjeshëm të marrëdhënieve në mes dy vendeve dhe dy popujve, thekson njoftimi i MPJ.