Ish-kandidati i AKR-së për kryetar të Prishtinës, Selim Pacolli e ka konfirmuar se strukturat partiake të Aleancës Kosova e Re kanë zhvilluar negociata me Lëvizjen Vetëvendosje, për balotazhin e 19 nëntorit në Prishtinë.

Pacolli ka thënë se takimet kanë qenë vetëm konsultative.

“Unë personalisht nuk kam zhvilluar takime, por janë ekipet e mia që i përkasin strukturave partiake që janë duke i bërë negociatatat. Momtenalisht takimet janë vetëm me kampin e Vetëvendosjes”, ka bërë të ditur Pacolli.

“Kemi zhvilluar takime vetëm në nivelin konsultativ për harmonizimin e projekteve dhe programeve tona, mirëpo se ku kanë mbërri nuk e di pasi nuk kam qenë në Kosovë”, ka bërë të ditur kandidati i AKR-së për kryetar të Prishtinës.

Pacolli ka pohuar se takime të tilla do të zhvillohen edhe me taborin e LDK-së, pasi duhet të hartohen ofertat e të dyja palëve.

Synimi i Selim Pacolli është që të bëhet implementimi i dy programeve, si një program i përbashkët qeverisës.

“Mendoj që takime do të ketë edhe me Lidhjen Demokratike të Kosovës pasi duhet të hartohen ofertat e dy palëve. Cilët janë të gatshëm, në mënyrë që të implementojmë pikat e caktuara të programit tonë dhe të bëjmë harmonizimet e programeve. Është interesi i implementimit të dy programeve si një program qeverisës i përbashkët”, ka thënë Selim Pacolli për lajmi.

Selim Pacolli ka dalur i treti për nga numri i votave në raundin e parë të zgjedhjeve lokale në Prishtinë.

Ai ka marrë 10.40%, apo mbi 9 mijë vota.

E përfshirë në diskutimet për balotazhin e Prishtinës ka qenë edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Arban Abrashi, kandidati i LDK-së për kryetar konfirmoi se me Arbër Vllahiun ka pasur disa takime, ku  janë pajtuar në disa pika.

Balotazhi për Prishtinën, dhe komunat e tjera të Kosovës zhvillohet më 19 nëntor.