Mjeku Nikollçe Damçevski, specialist për gjinekologji dhe obstetrikë është fajtor për rastin në të cilin ka trajtuar si shtatzënë një grua deri në kohën e lindjes, kur i kumtoi se nuk është shtatzënë, konfirmoi Këshilli i Shkallës së dytë pranë Gjykatës së nderit të Odës së Mjekëve të Maqedonisë.

Në seancën e mbajtur më 23 të këtij muaji, Këshilli i shkallës së dytë e ka konfirmuar vendimin e miratuar nga Këshilli gjyqësori i shkallës së parë.

“Me të, dr. Nikollçe Damçevski është shpallur fajtor në procedurën për rastin kur ka mjekuar dhe ka zbatuar procedura të fertilizimit të ndihmuar biologjik të pacientes, e ka evidentuar si shtatzënë, edhe pse ajo nuk ka qenë. Në tërë këtë periudhë të a.sh. shtatzëni, mjeku e ka përcjellë, e ka informuar për përparimin e shtatzënisë, ka dhënë terapi për mbajtjen e shtatzënësi deri në gjoja kohën për lindje kur i kumtoi se as që nuk ekziston shtatzëni. Me veprimet e cekura, siç vlerësoi Gjykata e nderit, mjeku i ka shkelur dispozitat nga Kodeksi i deontologjisë mjekësore dhe iu shqiptua masa e marrjes së përkohshme të licencës për punë në kohëzgjatje prej shtatë vitesh”, thuhet në kumtesë.