Presidenti Donald Trump deklaroi se ai ka refuzuar titullin ‘Njeriu i Vitit’ që akordohet nga Time, por revista amerikane mohon pretendimet e kreut të shtetit. Titulli ‘Njeriu i Vitit’ akordohet që prej 1927 dhe nderon personin që ka ushtruar më shumë ndikim në ngjarjet botërore të vitit.

Revista amerikane Time është përfshirë në një keqkuptim me presidentin Donald Trump. Një ditë më parë, kreu i Uashingtonit deklaroi përmes llogarisë së tij në Twitter se revista e kishte telefonuar për t’i komunikuar se ai me gjasa do të shpallej “Njeriu i Vitit” për 2017.

Por vetë Time e kundërshtoi historinë e presidentit dhe pretendimin se ai refuzoi kërkesën për një intervistë dhe seancë fotografike, duke deklaruar se presidenti është i pasaktë.

Titulli “Njeriu i Vitit” është pjesë e traditës së revistës Time, e filluar në vitin 1927.

Ky titull njeh personin që “për mirë apo keq… ka ndikuar më së shumti në ngjarjet e vitit”.

Publikimi fton lexuesit të votojnë për personin që mund të ketë fituar nderin e të qenit personi më me ndikim, por në fund, janë redaktorët e revistës ata që marrin vendimin përfundimtar.

Kujtojmë se vitin e kaluar, ishte presidenti Donald Trump ai që u nderua me këtë titull. Ndërkaq, cili do të jetë “Njeriu i Vitit” për 2017, atë e mësojmë në 6 dhjetor.