Dhjetëra azilkërkues u tubuan në qytetin verior grek Selanik, pas thirrjes së publikuar përmes rrjeteve sociale për mbajtjen e një marshi në kufirin verior të Greqisë me Maqedoninë, ndërsa në shenjë proteste për shkak të pamundësisë së tyre të transferohen në vende të tjera evropiane.

Rreth 80 persona, kryesisht nga Iraku dhe Siria, përfshirë edhe shumë familje me fëmijë, u mblodhën sot në sheshin qendror në Selanik para marshit të caktuar pranë kufirit. Disa, gjatë natës, arritën prej kampeve të refugjatëve në Athinë dhe prej vendeve të tjera, njoftojnë mediat greke.

Dhjetëra mijëra refugjatë dhe emigrantë për momentin janë ngujuar në Greqi, në pamundësi të shkojnë drejt destinacioneve të tyre të dëshiruara në Evropë, pasi vendet i mbyllën kufijtë tokësorë në fillim të vitit të kaluar, duke e mbyllur rutën ballkanike.