Shkupi së shpejti do të bëhet qendër shëndetësore rajonale dhe kjo mund të arrihet falë ndërtimit të Qendrës së Re Klinike Universitare. Sipas kryetares së  Odës së Mjekëve Privat të Maqedonisë Lile Dervishova, qytetarët në Qendrën e Re Klinike të gjitha shërbimet do të mund t’i marrin më lehtë dhe më shpejt pasi pothuajse të gjitha spitalet do të jenë të integruara në një vend.

“Para një kohe, unë si mjeke bashkë me nënën time ishim pacientë në Qendrën Klinike këtu dhe ajo që ishte perceptim i imi ishte se vërtet po ngulfatet kjo qendër klinike. Kur sillet ndonjë pacientë në Qendrën ekzistuese i cili ka probleme me zemrën, vërtet është problem që ju të arrini me urgjencë në kardiologji ose gjetiu.”

Sipas Dervishovës përveç pacientëve të cilët do të mjekohen në këtë Qendër Klinike, do të përfitojnë edhe mjekët në përgjithësi pasi dukshëm do të përmirësohen kushtet në të cilat ata ushtrojnë profesionin e tyre.

“Ajo që është mendim i shoqatës sonë është se patjetër është që të kemi menaxhim më të mirë të kuadrit shëndetësor. Me një menaxhim të mirë në shëndetësi mund të arrijmë një cilësi të mirë në shëndetësi dhe vlerësoj se duhet të fillojë që shëndetësia të organizohet në interes të pacientëve.”

Mjeku Sedat Lumani thotë se vendosja e të gjitha spitaleve në një lokacion do të jetë një ndihmë e madhe për pacientët, kurse stafi mjekësor do të mund tw kujdeset më mirë për një pacient.

“Klinika Universitare, respektivisht mjekësia terciale do rregullim ose një ndryshim rrënjësor dhe të adaptohet në bazë të kushteve të kohës dhe nevojës së pacientëve. Kur të jenë në një vend shumë më mirë përpunohet pacienti dhe leverdia e tyre do të jetë shumë më e madhe.”

Për ndërtimin e objektit do të shpenzohen 72 milion euro të siguruara nga Banka e Këshillit të Evropës.

Punimet për ndërtimin e Qendrës së Re Klinike Universitare do t’i realizojë konzorciumi italiano-maqedonas i përberë nga kompanitë ‘INSO’, ‘Granit’ dhe ‘Beton’.