Drejtorët e Spitaleve klinike nga Manastiri, Follorina dhe Korça, sot nënshkruan marrëveshje për bashkëpunim në fushën e kirurgjisë, projekt i mbështetur nga fondet e Bashkimit Evropian.

Projekti do të realizohet me ndihmën e edukatorëve të lartë të vendeve-anëtare të BE-së, ndërsa do të realizohet në Maqedoni, Greqi dhe në Shqipëri.

“Bashkëpunimi mes tre spitaleve do të thotë fillim për zhvillim të teknologjive në fushën e kirurgjisë. Bashkëpunimi i vendosur siguron kontinuitet dhe qëndrim të papenguar të mjekëve nga tre qytetet. Projekti do të zhvillohet 24 muaj dhe do të fokusohet në tre teknika kirurgjikale me mundësi për barte të njohurive të fituara, të cilat do të rezultojnë me zbatim të nëntë teknikave të reja në të gjitha qendrat klinike nënshkruese të marrëveshjes”, theksoi Zhaklina Servini, zëvendësdrejtor në Spitalin klinik – Manastir.

Marrëveshja për bashkëpunim është me rëndësi thelbësore për spitalet në Korçë dhe Follorinë, theksuan nënshkruesit e ngjarjes promovuese në Manastir.

“Pres bashkëpunim të madh mes tre spitaleve klinike nga rajoni dhe kjo do të jetë në mënyrë të veçantë në dobi të pacientëve tanë, për kolegët tanë dhe shfrytëzues tjerë të shërbimeve tona dhe teknologjive mjekësore”, theksoi Agron Guro, drejtor i Spitalit klinik në Korçë, Shqipëri, ndërsa sipas Xhorxh Konstandidhis, përfaqësues i spitalit klinik në Follorinë, Greqi, qëllimi kryesor i këtij bashkëpunimi duhet të rezultojë me formimin e qendrave rajonale kirurgjike dhe programit për zhvillim me zbatim të teknologjive të reja. Me këtë program pacientët nuk do të kenë nevojë të udhëtojnë që të mjekohen në qytete tjera, por vetëm në Manastir, Follorinë dhe Korçë”, tha Konstandidhis.