Së paku dhjetë vite burg parasheh neni 313 i Kodit penal të RM-së për “rrezikim terrorist të rendit kushtetues dhe sigurisë”, për çka Prokuroria Themelore Publike për ndjekje të krimit të organizuar dhe korrupsionit përndjekë 36 persona lidhur me ngjarjet e 27 prillit në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë.

Neni 313 i Kodit penal të RM-së parasheh, ai që me qëllim ta rrezikojë rendin kushtetues apo sigurinë e Republikës së Maqedonisë do të shkaktojë apo seriozisht do të kërcënohet me shkaktim të shpërthimit, zjarrit, vërshimit apo veprimit tjetër shoqëror apo akt të dhunës, duke krijuar ndjenjë të pasigurisë apo frikë tek qytetarët, do të dënohet me burg së paku dhjetë vite.

Ish-ministri i Punëve të Brendshme dhe ish-drejtor i Byrosë për Siguri Publike, Mitko Çavkov dhe disa persona të tjerë sot në mëngjes u arrestuan me urdhër të Prokurorisë publike, konfirmuan për MIA-n nga MPB.

Çavkov për momentin gjendet në Gjykatën Penale ku jep deklaratë para gjykatësit në procedurë paraprake. Nga gjykata për MIA-n informojnë se për momentin edhe shumë persona të tjerë janë nxjerrë para gjykatësit në procedurë paraprake i cili vepron sipas parashtresës me shkrim nga PTHP-së lidhur me ngjarjet në Kuvend prej 27 prillit.

Më 27 prill të këtij viti, një grup më i madh i kryesuar nga shoqata “Për Maqedoni të përbashkët” e cila dy muaj organizoi protesta nëpër Shkup dhe qytete të tjera, hynë në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë me qëllim që ta parandalojnë zgjedhjen e Talat Xhaferit për kryetar të shtëpisë ligjdhënëse.

Sipas njohurive të deritanishme të policisë dhe prokurorisë, sulmi ndodhi kur persona të maskuar u lëshuan nga disa deputetë të VMRO-DPMNE-së dhe një pjesë e sigurimit të Kuvendit dhe hynë në sallën për gazetarë ku mbante konferencë për shtyp kryetari i sapozgjedhur Xhaferi.

Dhunuesit i sulmuan fizikisht deputetët dhe gazetarët, ndërkaq u lënduan fizikisht lideri i LSDM-së, Zoran Zaev dhe deputetët Ziadin Sela, Oliver Spasovski, Ljupço Nikollovski, Damjan Mançevski dhe Maksim Dimitrievski. Ata u goditën me mbajtëset e kamerave në kokë, ndërkaq ndaj tyre u gjuajtën edhe tavolina, karrige dhe gjëra të tjera.

Заев Собрание насилства

Deputetët u evakuuan nga Kuvendi me automjete të blinduara në orët e vonshme të natës, ndërkaq policia me shok bomba i shpërndau demonstruesit nga ndërtesa e Kuvendit. Sipas raportit të MPB-së, 70 qytetarë, 22 policë dhe tre deputetë kërkuan ndihmë mjekësore në spitalet në Shkup.

Policia reagoi tre orë pas sulmit, ndërkaq ministri i atëhershëm i Punëve të Brendshme, Agim Nuhiu publikisht shprehi dyshimin se drejtori i BSP-së, Mitko Çavkov qëllimisht e ka penguar intervenimin policor.

Lideri i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, ndërkaq, i cili paraprakisht në intervistë televizive bëri thirrje për protesta në rrugë, gjatë ngjarjeve në Kuvend ndodhej në Vjenë.

Dy ditë pas ngjarjes, u arrestuan disa pjesëmarrës të sulmit në Kuvend, mes të cilëve të punësuar në polici dhe armatë, si dhe ish-të burgosur të dënuar për vepra të rënda penale.

Nëntë personat të cilët hynë në Kuvend ishin akuzuar për pjesëmarrje në turmë dhe nga gjykata morën dënime të kushtëzuara me burg. Katër vite burg, ndërkaq mori personi që e sulmoi Radmilla Shekerinskën.

Për shkak të lëshimeve të policisë, nga puna u suspenduan rreth njëzet nëpunës policorë.