Nëndetësja argjentinase “ARA San Juan” që u zhduk javën e kaluar me 44 persona në bord mund të ketë shpërthyer, njoftoi sot marina, por përjashtoi mundësinë e ndonjë sulmi.

Organizata e Traktatit të Ndalimit të Testeve Bërthamore Gjithpërfshirëse (CTBTO), me bazë në Vjenë, regjistroi një event të pazakontë, të shkurtër, të fuqishëm dhe jo bërthamor që përkon me një shpërthim në 15 Nëntor, kur nëndetësja u zhduk.

“Ky informacion përputhej me atë të një instituti amerikan, i cili regjistroi gjithashtu një anomali hidro-akustike pranë vendit që nëndetësja humbi komunikimin me marinën rreth tre orë më parë”, njoftoi zëdhënësi i marinës, Enrique Balbi.

Sipas këtyre të dhënave ngjarja ka ndodhur në Gjirin e San Jorge, 1 300 kilometra në jug të Buenos Aires, përcjell Atsh.

Balbi theksoi gjtihashtu se “marina nuk ka informacione për këtë ngjarje, por përjashtoi mundësinë e një sulmi”.

Deri tani marina ka shmangur lidhjen e një problemi mekanik me zhdukjen e ARA San Juan.