Ansamblet “Ibe Palikuqi”, “Emin Duraku”, “Shkupi”, “Karshiaka”, “Shqiponja” dhe “Drita e Dervenit” mbajtën një koncert festiv për të nderuar këtë ditë me valle nga të gjitha trevat shqiptare.
“Për mua është një kënaqësi e madhe të performoj në këtë festë. Sot jemi përgatitur të performojmë vallen e Tiranës. Kjo festë ka një peshë shumë të madhe për mua, sepse është një ditë e shqiptarëve”,- u shpreh një valltare.
Qytetarë të shumtë, të ardhur edhe nga Kosova e qytete të tjera të vendit, shijuan këtë koncert festiv.
“Unë kam ardhur nga Skenderaj i Drenicës, nga Kosova. Kisha nostalgji të shoh se si organizohet kjo festë në Shkup. E di që në Shkup ka shumë shqiptarë, janë të përkushtuar ndaj ngjarjeve madhështore dhe ngjarjeve patriotike, dhe erdha të shoh se si organizohet, çka organizohet dhe nga kureshtja të them kështu, dhe kjo kureshtje më plotësohet pak a shumë”,-theksoi një qytetar.
Kryetari i komunës së Çairit, Visar Ganiu, nën patronatin e të cilit u organizua ky koncert, theksoi rëndësinë e kësaj date që bashkon shqiptarët kudo ku jetojnë. Dhe festa në Shkup, sipas tij, ka rëndësi të veçantë.
“Me respekt, mirënjohje dhe kurajo për të pranuar çdo kontribut të çdo atdhetari e patrioti që bëri mbërritjen e ditë së madhe, shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, ne kujtojmë dhe nderojmë ata që na falën dinjitetin kombëtar dhe krenarinë e të qenit shqiptar. Nderojmë çdo dëshmor që flijoi jetën e tij për ekzistencën e kombit. Në këtë 105 vjetor të lavdishëm të zgjimit tonë e të flamurit tonë përulemi thellë para tyre duke i kujtuar me respekt të madh sakrificat sublime që prej shekujsh për këtë flamur shqiptarët që i kanë bërë”,- u shpreh kryetari i komunës së Çairit, Visar Ganiu.
Manifestime të ndryshme për nder të kësaj dite janë organizuar në të gjitha qytetet në Maqedoni.