Komuna e Kërçovës në bashkëpunim me Qendrën për zhvillim të bashkësisë në Kërçovë dhe me mbështetje të zyres së OSBE-së në Shkup sot e organizoi sesionin e dytë buxhetor për përgatitjen e propozim-buxhetit të komunës së Kërçovës për vitin 2018.

Në sesion u prezantuan programet zhvillimore të komunës së Kërçovës për vitin 2018, ndërsa qytetarët, përfaqësuesit nga bashkësitë urbane dhe rurale, si dhe përfaqësuesit e asociacioneve qytetare patën mundësi të propozojnë prioritete dhe ide konkrete për të qenë pjesë e buxhetit të komunës për vitin 2018.

Në mbledhje morën pjesë përfaqësues të institucioneve lokale, organizatave qytetare, si dhe përfaqësues të bashkësive lokale, por edhe qytetarë të tjerë të interesuar.

Udhëheqësi i sektorit për financa në komunën e Kërçovës, Burim Kadriu tha se edhe këtë vit, si dhe në katër vitet e kaluara, komuna mbetet tërësisht transparente dhe e hapur për mendime dhe propozime për buxhetin e komunës për vitin e ardhshëm  i cili është paraparë të paraqesë rreth 12,5 milionë euro, së bashku me bllok donacionet për rrogat në arsim të cilat janë diku rreth 6,5 milionë euro.

Në sesionin e sotëm ishte i pranishëm edhe kryetari i komunës së Kërçovës, Fatmir Dehari, i cili, gjithashtu, kërkoi mendime të drejtpërdrejta nga qytetarët e prnaishëm lidhur me propozim buxhetin e komunës.