Ka përfunduar punimet Forumi Ekonomik i Diasporës Shqiptare, ku pas takimeve mes përfaqësuesve të bizneseve kosovare me ato të diasporës janë nënshkruar 6 kontrata. Ditët në vijim pritet të arrihen edhe marrëveshje të tjera.

Në ditën e dytë të Forumit Ekonomik të Diasporës Shqiptare ku morën pjesë më shumë se 400 biznese dhe investitorë nga diaspora, rreth 100 biznese nga Kosova që janë gati për eksport ,dhe shumë biznese nga Shqipëria, Mali i Zi e Maqedonia, u zyrtarizuan disa kontrata të rëndësishme.

Ky forum organizohet nga Rrjeti i Bizneseve të Diasporës Shqiptare në bashkëpunim me projektin e USAID-it EMPORIUM, Sektori privat në partneritet me SIDA-n.

Rrjeti i Bizneseve të Diasporës Shqiptare funksionon në 25 shtete të botës dhe ka të anëtarësuar qindra biznesmenë shqiptarë që udhëheqin biznese në shumë vende të botës.