Nata finale e spektaklit të kërcimit DWM  në Tv Klan do të jetë pas pak javësh, mbrëmjen e Krishtlindjeve, por menjëherë pas tij do të nisin rrugëtimin jo një, por dy programe të reja.

Kështu, në fillim të vitit 2018, në ekranin e Tv Klan do të nisë transmetimet një spektakël tjetër që do të ketë në fokus fëmijë të talentuar.

“Në kurthin e Piter Pan”, siç është lajmëruar edhe nga produksioni, ka nisur tashmë audicionet në Tiranë.

Duke marrë shkas nga interesimi i madh i prindërve, prezantuesja Alketa Vejsiu sqaroi gjatë spektaklit DWM, se janë dy programet që do të nisin për fëmijë, “Në kurthin e Piter Pan” dhe “Virtuozët”.

Image

Vejsiu theksoi se “Në kurthin e Piter Pan” kërkon fëmijë që janë të aftë të fusin në ‘kurth’ personazhe të njohur të ekranit, si të ishin gazetarë, dhe ky program do të nisë në fund të muajit shkurt.

Për emisionin tjetër, për të cilin nuk ka ende një datë se kur do të nisë, kërkohen fëmijë të talentuar në muzikën klasike: “Dua të sqaroj diçka. Fillon shumë shpejt edhe një spektakël tjetër për fëmijë, në muzikën klasike të talentuar. Ky nuk ka lidhje me “Piter Pan”.

Tek “Në kurthin e Piter Pan” ne kërkojmë fëmijë që janë të aftë të fusin në kurth personazhe të njohur të ekranit, politikës, spektaklit, tamam si gazetarë origjinalë të vegjël.

Ky program do të startojë në fund të muajit shkurt në Tv Klan dhe faza e dytë e audicioneve do të anonçohet shumë shpejt në këtë televizion, për t’i dhënë një shans të dytë atyre që janë të interesuar” – tha Alketa.

Image

Duke falënderuar të gjithë prindërit që erdhën në ambientet e Televizionit Klan dhe qëndruan për orë të tëra bashkë me fëmijët e tyre, në mënyrë ata të bëhen pjesë e spektaklit, Alketa shtoi se pjesëmarrja dhe interesi ka qenë i jashtëzakonshëm.

Image

“Në 2018-ën, takohemi me një spektakël të ri, që na ka kënaqur shumë këtë javë, sepse bëmë audicionet e para të Piter Pan-it. Dua të falënderoj me gjithë zemër në emër të Tv Klan dhe produksionit të gjithë ata qindra prindër dhe familje që kanë ndenjur këtu me orë të gjata.

Ne na doli jashtë kontrollit dhe jashtë parashikimit, sepse kishim pritshmëri më modeste, sepse e thamë vetëm njëherë gjatë javës së kaluar datën. Shpresoj që do të krijojmë një gjeneratë të re talentesh në gazetari dhe në komunikim, me gjithë ato fëmijë të mrekullueshëm që kemi takuar.”