Institucionet pritet që të merren vesh se cilat rregullore dhe ligje do të ndryshohen që të ulet ndotja e ajrit. Nga Ministria e ekonomisë për Alsat M thonë se në koordinim me institucione tjera do të propozojnë ndalesë për ngrohjes e amvisërive me qymyr, ndërsa do të propozohen edhe subvencione për familjet e rrezikuara sociale që të mund t’i ndërrojnë shporetët e vjetër me të ri. Gjithashtu do të ndryshohen dispozitat ligjore të automjeteve.

Do të propozojmë ndryshimin e më shumë rregulloreve që janë pjesë e Ligjit për automjete, në pjesën e kategorizimit të automjeteve sipas EURO standardeve. Për momentin në treg lëshohen automjete me Euro standard katër për emetimin e gazrave, ndërsa për automjetet e reja Euro standarde katër, pesë dhe gjashtë- thonë nga Ministria e ekonomisë.

Pikërisht automjetet ishin pjesë e masave kundër ndotjes që kompetentët tashmë i paralajmëruan. Një prej masave është edhe evidentimi i automjeteve se sa ndotin, vendosja e shiritave tek automjetet me ngjyra të ndryshme për ndotje të ulët, të mesme dhe të lartë. Në situata alarmante, ato që më së shumti ndotin, do të largohen nga qarkullimi. Por, si në mënyrë efikase do të kontrollohet pjesëmarrja në trafik e automjeteve që janë qindra mijë në numër, nga MPB nuk morëm përgjigje. Për masat e paralajmëruara, vozitësit kanë qëndrime të ndara.

Është gabim i madh. Fillimisht shteti para disa viteve lejoi të importohen automjete të këtilla ndërsa tani i largon nga qarkullimi. Njerëzit kanë dhënë të holla, si mund të ndodhë kjo”.

Duhet të ndërmerret diç. Kjo është normale, nëse automjeti nuk është si duhet, do ta largojnë atë- shprehen qytetarët.

Dhe përderisa kompetentët sigurojnë se së shpjeti opinioni do të njihet me detajet dhe me masat, Shkupi tashmë po ngulfatet në grimcat kancerogjene PM 10. Mbrëmjen e kaluar ndotje të lartë kishte në lagjen Lisiçe të Shkupit ku janë regjistruar 486 mikro gram të grimcave PM 10, ndërsa kufiri i lejuar Evropian është vetëm 50 mikrogram./alsat-m