Roma ka barazuar 1-1 me Genoan në stadiumin “Luigi Ferraris”, ndërsa Napoli ka marrë tri pikë të rëndësishme, duke mposhtur në transfertë 1-0 Udinesen.

Roma ka marrë vetëm një pikë në javën e 13-të në Serie A, duke barazuar 1-1 me Genoan. Të parët në epërsi kaluan romanët me golin e Stephan El Shaarawy (59’), kurse barazoi gjithçka 1-1 Gianluca Lapadula nga pika e bardhë, shkaktuar nga Daniele De Rossi, që u ndëshkua direkt me të kuq.

Pas këtij barazimi, Roma mbetet në vendin e katërt me 31 pikë, shtatë më pak se Napoli, që sot mposhti në 1-0 Udinesen, duke marrë kështu kryesimin në Serie A me 38 pikë të grumbulluara, dy më shumë se Interi.

Golin e tri pikëve për Napolin e shënoi Jorginho në minutën e 33’të.