Ish-kryeministri i Kosovës, aktualisht kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka përshëndetur përparimin e Kosovës në indikatorët për vitin 2018 të agjencisë federale amerikane, Korporata Sfidat e Mijëvjeçarit (MCC).

Indikatorët e MCC tregojnë se Kosova ka arritur progres rekord në perceptimin e luftimit të korrupsionit. Sukses është arritur edhe në shumicën e indikatorëve të tjerë – vendi ka shënuar rritje pozitive në indikatorë si sundimi i ligjit, liria e informimit, çështjet ekonomike, ruajtja e resurseve, e shumë të tjera.

Ky përparim i Kosovës hapë mundësitë e investimeve të mëdha, qindra milionëshe, në vend.

E, meritat për këtë përparim kreu i LDK’së ia ka adresuar qeverisë së kaluar të vendit, që e kishte udhëhequr vetë ai.

“Reformat e periudhës Mars 2016 deri në Mars 2017 sot u shpallën nga MCC -ja se dhanë rezultate të mrekullueshme për Kosovën”, ka shkruar Mustafa në Facebook.

“Jam mjaft i lumtur që rezultatet e Qeverisë që kam udhëhequr, sot u shpallen si shumë të suksesshme”, është shprehur ai.

Shkrimi i plotë i Mustafës:

Reformat e periudhës Mars 2016 deri në Mars 2017 sot u shpallën nga MCC -ja se dhanë rezultate të mrekullueshme për Kosovën. Në Qeverinë që e kam drejtuar unë, kemi arritur të përmirësojmë 12 nga 19 treguesit të cilët maten nga institucione të ndryshme ndërkombëtare dhe shfrytëzohen nga MCC-ja për programet e tyre me shtete të ndryshme. Edhe pse arritëm të marrim programin Threshold, sot, janë hapur mundësitë që të fitohet programi Kompakt. Jam mjaft i lumtur që rezultatet e Qeverisë që kam udhëhequr, sot u shpallen si shumë të suksesshme.
Në mandatin tonë:
– Arritëm të përmirësojmë treguesit e Lirisë Ekonomike.
– Arritëm të përmirësojmë treguesit e shtetit të së drejtës, e theksi vihet tek përmirësimi për 23 pikë përqindje të luftës kundër korrupsionit.
– Arritëm të përmirësojmë treguesit kategorisë së investimit në kapitalin njerëzor.
Këto janë rezultate të shtetit të Kosovës. Ato trokasin në ndërgjegjen tonë!