Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka marr sot pjesë në përurimin e shtatores së Komandantit Legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari, në sheshin kryesor të Lipjanit ku morën pjesë edhe një numër i madh i qytetarëve.

Përmes një statusi në Facebook, Mustafa ka thënë se qytetarët e Kosovës duke nderuar figurat e tyre historike dëshmojnë krenarinë në të kaluarën e ndritur dhe konfirmojnë përkushtimin për të ardhme më të mirë.

Postimi i plotë:

Të dashur qytetarë,

Së bashku me mijëra qytetarë të Lipjanit dhe tërë Kosovës, isha i nderuar të marr pjesë në përurimin e shtatores së Komandantit Legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari, në sheshin kryesor të Lipjanit.

28 Nëntori përjetohet nga të gjithë shqiptarët si Ditë Kombëtare pasi që me të lidhen shumë ngjarje historike, duke filluar nga Nëntori i Skënderbeut, shpallja e pavarësisë së shtetit shqiptar, dalja në skenë e UÇK-së dhe ditëlindja e Komandantit Legjendar, Adem Jashari.

Andaj, qytetarët e Kosovës, duke nderuar figurat e tyre historike dëshmojnë krenarinë me të kaluarën e ndritur dhe konfirmojnë përkushtimin për të ardhme më të mirë.

Me këtë rast, mirënjohje të posaçme meriton kryetari i rikonfirmuar i Lipjanit, Imri Ahmeti, i cili po e qeverisë në mënyrë shembullore Lipjanin, duke e nderuar edhe me vepra historike si shtatorja që u përurua sot.