Liderët dhe ministrat e transportit të shteteve të Ballkanit Perëndimor më datën 6 dhe 7 të muajit të ardhshëm në takim me përfaqësues të Bankës Botërore dhe me Bankën Investuese Evropiane do të bisedojnë për financim të ndërtimit të lidhjes hekurudhore të Maqedonisë, Bullgarisë dhe Shqipërisë në Korridor.

Kryeministrat e Maqedonisë dhe Bullgarisë, Zoran Zaev dhe Bojko Borisov, pas seancës së sotme të qeverive të së dy shteteve në Strumicë porositën se Korridori 8 do të jetë prioritet për realizimin i cili do të ofrojë shumë mundësi për bashkëpunim dhe përshpejtim të qarkullimit të mallrave dhe udhëtarëve.

“Një prej dëshirave më të mëdha është që me të vërtetë nga Shkupi të mos udhëtohet katër-pesë orë, por shumë më shpejt, kjo të mundësohet si alternativë përmes një autostrade të bukur ose hekurudhë të bukur. Ai është Korridori 8 i cili është një spektër i gjerë i mundësive për qytetarët nga i gjithë rajoni”, tha Zaev  duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në konferencën e përbashkët për shtyp me Borisovin.

Sipas Borisovit, interesi që të financohet projekti është shumë i madh nga të gjithë sepse shohin se realisht mund të realizohet. Kjo, potencoi, të ndodhë me presion më të madh dhe financim të garantuar.

“Me kolegët të cilët do të vijnë do të shtrëngojmë duart kush ka nevojë për financim të shfrytëzojë mjete nga bankat dhe të shohim se çka do të japë Komisioni Evropian dhe mjete buxhetore gjithashtu. Më 6 dhe 7 dhjetor do të jemi një hap përpara”, tha Borisov.

Për linjën hekurudhore Shkup – Sofje në territorin e Bullgarisë janë të gatshme projektet dhe, siç tha Borisov, e dinë se sa do të kushtojë. Në territorin e Maqedonisë ende nuk janë siguruar të holla për aksin e tretë, nga Kriva Pallanka deri në kufirin me Bullgarinë.

Siç informon Zaev, brenda gjashtë muajve duhet të krijohen kushte për hyrje në fuqi të memorandumit të nënshkruar sot për çmime të ulëta në roaming midis Maqedonisë dhe Bullgarisë.

“Sipas ligjeve marrëveshja për roaming do të realizohej për gjashtë muaj, por besoj në performansat e të dy shteteve se mund të bëhen edhe për tre, ndërsa gjithsesi se do të jem shumë i lumtur madje edhe nëse bëhet edhe më parë. Ajo që duhet ta presin qytetarët është se mund të ndodhë edhe për më pak se gjashtë muaj. E gjithë kjo mua shumë më gëzon për shkak se kjo do të thotë komunikim më i lirë, ndërsa kur ka komunikim ka edhe biznes dhe bashkëpunim, këmbim të kulturës dhe gjithçka që vlen për qytetarët”, tha Zaev duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve