Ministria e Punëve të Jashtme e dënoi incidentin e mbrëmshëm me djegien e flamurit të Maqedonisë në Pejë dhe Gjilan, dje pasi u shqiptuan aktvendimet për rastin “Lagjja e trimave”.

“MPJ shpreh keqardhje dhe dënim për aktin e djeshëm të djegies së flamurit të Maqedonisë nga ana e pjesëtarëve të grupeve tifoze në Pejë dhe Gjilan, Republika e Kosovës. Presim që shërbimet kosovare do të ndërmarrin aktivitete për përcaktimin e përgjegjësisë së kryesve”, ceket në reagimin e MPJ-së për MIA-n.

Në shenjë proteste për shkak të vendimit të Gjykatës penale të Shkupit për dënimin e tetë anëtarëve të grupit të Kumanovës me burgim të përjetshëm, mbrëmë në qytetet kosovare Pejë dhe Gjilan publikisht u dogjën flamujt e Republikës së Maqedonisë.

Sipas mediave kosovare, flamujt u dogjën në protestat në të dy qytetet për shkak të vendimeve të gjykatës, ku ishin bërë thirrje “shqiptarëve t’i mbrojnë të drejtat e veta, duke luftuar kundër padrejtësisë së shkaktuar nga sllavo-maqedonasit”.

Mediat theksojnë se në djegien e flamurit të Maqedonisë në Gjilan kanë marrë pjesë edhe anëtarë të grupit të tifozëve “Skifterët”.

“Në shenjë revolte për padrejtësinë e kryer ndaj heronjve tanë nga shteti sllav i Maqedonisë sonte e dogjëm flamurin e tyre, këtu para përmendores së legjendarit Agim Ramadani – Katana, në Gjilan. U bëjmë thirrje të gjithë burrështetasve shqiptarë ta kundërshtojnë këtë dhe ta mbrojnë popullin shqiptar në Iliridë. Shqipërinë do ta bëjmë”, porositën nga grupi i tifozëve të klubit futbollistik nga Gjilani.

Tetë dënime me burg të përjetshëm, 13 me nga 40 vite, gjashtë me nga 20, një prej 18 viteve, dy nga 14, dy nga 13, dy nga 12 vite burg dhe katër aktvendime liruese u caktoi Gjykata penale të akuzuarve për ngjarjet në Lagjen e trimave në Kumanovë në maj të vitit 2015 ku jetën e humbën tetë pjesëtarë të forcave të sigurisë dhe dhjetë persona të grupit të armatosur, ndërkaq u plagosën rëndë edhe rreth dyzetë policë të njësive speciale.