Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e VV-së, Dardan Molliqaj ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Supreme lidhur me vendimin e PZAP-së dhe Gjykatës së Apelit për lirimin e deputetëve nga radhët e këtij subjekti politik që u arrestuan një ditë më parë, Albin Kurti, Donika Kadaj Bujupi, dhe Albulena Haxhiu.

Molliqaj, konsideron se kanë dalur fitimtarë në të dy këto çështje, e ngjashëm paralajmëron se do të ndodh edhe në rastin e aktivistëve të VV-së, Adea Batusha, Frashër Krasniqi, Egzon Haliti dhe Atdhe Arifi, të cilët janë shpallur fajtorë për sulm ndaj objektit të Kuvendit të Kosovës.

“Tentuan ta ndryshojnë rezultatin e zgjedhjeve në Prishtinë dhe Prizren përmes Pronto gjyqtarit Hasan Shala. Gjykata Supreme ua hodhi poshtë vendimin. Ata dështuan, ne fituam.

Dje i arrestuan dhunshëm deputetët me urdhëra politikë, ndërsa sot i liruan. Ata dështuan, ne fituam.

Adean, Atdheun, Frashërin dhe Egzonin i dënuan me mbi 21 vjet burgim pa asnjë provë të vetme. Edhe në këtë rast, ata do të dështojnë e ne do të fitojmë”, ka thënë Molliqaj, përmes një postimi në rrjetin shoqëror Facebook.