Përfaqësuesja e BE-së për Punë të Jashtme dhe Politikat e Sigurisë, Federica Mogherini, është shprehur se “janë ndërtuar më në fund të gjitha gurthemelet për një Union të mbrojtjes dhe sigurisë”.

Në një fjalim në konferencën vjetore të Agjencisë Europiane të Mbrojtjes 2017, të zhvilluar në Bruksel, Mogherini ka theksuar se konferenca është zhvilluar në një periudhë ku janë të pranishme zhvillime të rëndësishme për mbrojtjen e Europës.

Duke bërë të ditur se bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes në BE ka arritur përmasa të rëndësishme, Mogherini, ka njoftuar se institucionet brenda BE-së do të veprojnë së bashku për të ndërtuar një “union më të sigurt”.

Pasi ka transmetuar se pas kësaj pike vendet anëtare së bashku mund të zhvillojnë aftësitë e mbrojtjes, Mogherini tha se “tashmë duke vepruar bashkë mund të përballemi shumë më mirë me krizat, do të zhvillojnë partneritetin tonë dhe do të ofrojmë një ambient më të sigurt për qytetarët tanë”.

Ndër të tjera, Mogherini ka shtuar se sprovat aktuale të sigurisë janë aq të mëdha sa që nuk mund të përballohen nga një vend i vetëm dhe se në kuadër të kësaj është një domosdoshmëri që të veprohet së bashku.

Vetëm duke bashkuar forcat e vendeve anëtare mund të përmbushim kërkesat e qytetarëve për “më shumë siguri dhe buxhete më efikase”, ka theksuar Mogherini, duke tërhequr vëmendjen se Agjencia Europiane e Mbrojtjes në këtë kuadër luan një rol të rëndësishëm.