Ndërkohë që kryeministri Zoran Zaev ende nuk ka vendosur se kush do të jetë ministri i ri i shëndetësisë, mjekët dhe shoqata të ndryshme kërkojnë zgjedhjen sa më shpejtë të prijësit të këtij dikasteri. Ata vlerësojnë se moszgjedhja e ministrit të ri, përkeqësojnë problemet e shumta me të cilat ballafaqohet shëndetësia. Kryetari i shoqatës për grupe të margjinalizuara Ilia Jovanoviq, e vlerëson si katastrofale mungesën e ministrit për një periudhë kaq të gjatë kohore, në një ministri me shumë probleme dhe ngecje të trashëguara nga e kaluara.

Është për të ardhur keq fakti që gati 2 muaj nuk kemi ministër të shëndetësisë. Kjo nuk ka ndodhur në asnjë shtet ballkanik që shteti të mos ketë ministër të shëndetësisë. 02 Ne tani nuk kemi ku të drejtohemi. Mos dashtë Zoti, unë jam me tre fëmijë, nëse më ndodh diçka nga kush unë do të kërkoj përgjegjësi. Problemet me të cilat po ballafaqohet tani ministria e shëndetësisë janë të shumta dhe të trashëguara nga qeveria e kaluar. Të gjithë ministrat deri tani kanë premtuar se do e përmirësojnë shëndetësinë në shtet por kanë bërë vetëm ndryshime kozmetike- deklaroi Ilia Jovanoviq, Kryetar i Shoqatës Grupe të Margjinalizuara.

Edhe vet kryeministri Zaev tha se zgjidhja e ministrit të shëndetësisë është komplekse dhe se bëhet fjalë për një post shumë të rëndësishëm. Sipas tij deri ka mesi i javës së ardhshme, së bashku me Ali Ahmetin dhe Ziadin Selën do të vendosin se në duar të kujt do të mbetet ky dikaster. Vullnet Ferati nga Aleanca për Shqiptarët mbetet propozimi i vetëm publik për ministër të shëndetësisë. Sa i takon këtij propozimi, BDI-ja vazhdon të jetë e pavendosur.

Ndërkaq jozyrtarisht flitet se nëse ky emër do të refuzohet nga partnerët e qeverisës të Selës, atëherë Aleanca për Shqiptarët, në këmbim të shëndetësisë do të kërkojë ministri tjetër si ajo e Transportit, Arsimit ose Punës dhe Politikës Sociale./alsat-m