Më e bukura e Afrikës së Jugut, Demi-Leigh Nel-Peters, është shpallur ‘Miss Universe 2017’. 22-vjeçarja mposhti konkurrencën e shoqërueses së parë, ‘Miss Kolumbisë’ Laura Gonzalez dhe shoqërueses së dytë, ‘Miss Xhamajkas’ Davina Bennett.

Kjo garë e bukurisë është zhvilluar të dielën mbrëma në Planet Hollywood në Las Vegas të SHBA-ve. Krahas bukurosheve tjera, pjesëmarrëse në ngjarjen e madhe të bukurisë ishte edhe përfaqësuesja e Shqipërisë, Blerta Leka. Bukuroshja shqiptare nuk u përfshi në 16 vajzat finaliste të kompeticionit.

Fituesja Nel-Peters ka diplomuar për menaxhim biznesi në Universitetin North-West. Gjatë intervistës së saj të xhiruar, ajo ka folur edhe për vështirësitë dhe rreziqet, që i përjetojnë njerëzit në vendin e saj. Kjo gjë e ka bërë që të angazhohet në një program të vetëmbrojtjes për femrat.