Deri në 120,000 turistë janë bllokuar në Bali nga shpërthimi i vazhdueshëm i vullkanit Agung,  i cili ka “zënë ngushtë” linjat ajrore për shkak të shtëllungave të mëdha të tymit dhe hirit vullkanik.

Aeroporti i ishullit të famshëm turistik mbetet i mbyllur për të paktën 48 orë, për shkak të reve të hirit që dalin nga vullkani.

Ditën e sotme janë anuluar më shumë se 900 fluturime, duke lënë dhjetëra mijëra udhëtarë që nuk janë në gjendje të largohen, të bllokuar në Bali.

Pasagjerët e ‘Qantas Airlines’  janë ndër më të bllokuarit, dhe disa raportojnë se fluturimet e tyre ishin planifikuar për në 27 dhjetor.

Frika e një shpërthimi të menjëhershëm është rritur dhe zona e evakuimit rreth vullkanit është zgjeruar. Autoritetet indoneziane kanë ngritur gjendjen e vigjilencës në nivelin më të lartë.