Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka folur për marrëdhëniet e Kosovës dhe Shqipërisë, në prag të festës së 28 nëntorit.

Ai ka thënë se Kosova dhe Shqipëria janë dy shtete që janë të themeluara në bazë të vullnetit që garantojnë gjitha liritë e qytetarëve pa dallim të përkatësisë etnike dhe fetare.

Meta ka pohuar se Kosova dhe Shqipëria janë një komb.

“Natyrisht që jemi një komb pasi kemi një flamur kombëtar, pavarësisht që Kosova ka simbolet e veta shtetërore që respektohet nga të gjithë të tjerët”, ka thënë Meta në Zona B.

Më tej Meta ka folur për rrugën drejt Bashkimit Evropian të të dyja vendeve.

“Besoj që do të ishte e pamundur sikur të kishte pasur shtet të Kosovës pa përkrahjen e Evropës dhe vende kryesore të BE-së dhe SHBA-të dhe shtetet tjera të NATO-së”.

“Mendoj që në radhë të parë duhet të bashkëpunojmë shumë me njeri-tjetrin, të kemi politikë më afatgjatë dhe që përputhet me evropianizimi e këtij rajoni, që është në interes të shqiptarëve”, ka pohuar ai.

“E kuptoj frustrimin që vjen nga zhvillimet e paparashikuara edhe nga BE, ku bëhet fjalë për shtimin e kushteve që duhet hedhur para hapave të Kosovës por edhe Shqipërisë”.

Ai ka thënë se është në interes të Kosovës dhe Shqipërisë të punojnë në rrugën drejt BE.

“Ne duhet të demonstrojmë më shumë progres që ta bëjmë rrugën tonë drejt Evropës më të lehtë”, ka deklaruar Meta ndër të tjera.