Në një spital në Meksikë është vrarë Jesus Martin, udhëheqësi i bandës që merret me trafikim të naftës, raporton Anadolu Agency (AA).

Martin ka qenë në spital për shkak të një operacioni plastik të cilin e ka bërë për të ndryshuar pamjen fizike. Prokurori i krahinës Puebla konfirmoi se Martin është sulmuar në spital. Ai theksoi se përveç Martinit janë vrarë edhe tre persona të tjerë, mes të cilëve edhe një grua.

Nga Prokuroria dyshojnë se sulmin e kanë kryer anëtarë të bandës së tij, ndërsa nën hetim janë edhe mjekët për të cilët supozohet se kanë bashkëpunuar për këtë sulm.

Zyrtarët theksojnë se Martin krahas pamjes fizike ka dashur të ndryshojë edhe gjurmët e gishtërinjve. Në fillim të javës gjatë përleshjes së bandave që merren me trafikim të naftës humbën jetën 12 persona.

Edhe në vitin 1997 në spital është vrarë udhëheqësi i kartelit të drogës Amado Carrillo Fuentes. Edhe ai u vra gjatë kohës që bënte operacion plastik.