Ish sekretarja shtetërore amerikane Kondoliza Rajs është e mundur të jetë përfaqësuese e Shtëpisë së Bardhë nëse Uashingtonit i lejohet të jetë pjesë e dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës, njoftojnë mediat shtetërore ruse.

Në fokus të informatës nuk është vetëm përfshirja e SHBA-së në negociatat e Brukselit, por edhe jetësimi i idesë për emërimin e përfaqësuesit të posaçëm për Ballkanin, njoftoi Radio B92, duke transmetuar informata të mediave ruse.

“Bëhet fjalë për një lloj të monitoringut amerikan. Ata nuk do të përziheshin në negociatat mes Beogradit dhe Prishtinës, por gjithçka do t’i linin Brukselit, i cili ka çka t’i ofrojë edhe njërës edhe tjetrës palë deri në fund të procesit. Ky është anëtarësimi në BE i Beogradit, ndërsa për Prishtinën – kandidat për anëtarësim”, njoftojnë mediat ruse.

Sipas tyre, gjatë vitit të kaluar qindra senatorë dhe kongresmenë amerikanë e kanë vizituar Ballkanin, që është dyfish më shumë se në fillim të viteve të 90-ta të shekullit të kaluar.

“Qëllimi është të përgatitet dokument, i cili do t’i parashtrohet Kongresit, e me këtë edhe presidentit amerikan, i cili do të duhet të përfshihet në zgjidhjen e çështjes së Ballkanit, edhe pse tani kjo nuk është prioritet për të. Plani B është Britania e Madhe të ndërmarrë gjithçka në vete”, njoftojnë mediat shtetërore ruse.