Detaje të reja bëhen me dije lidhur me rrjetin e fuqishëm të trafikut të kokainës nga Amerika e Jugut në Europë, mes të cilëve ishin edhe shqiptarë.

DEA amerikane dhe autoritetet franceze janë duke hetuar ende lidhur me rrjetin e drogës. Një javë më parë 23 persona u arrestuan nga autoritet franceze. Mes të arrestuarve të operacioni “Top Gun” janë 3 shqiptarë.

Sipas raportimeve të medieve kolumbiane, karteli i drogës transportonte kokainën me charter luksozë nga aeroporti i Kartagjenës për në Francë. Fluturimet e nisura nga qyteti kolumbian uleshin në aeroportin e qytetit bregdetar francez Biarritz. Karteli i drogës ka transportuar sasi të konsiderueshme kokaine në këtë mënyrë për të paktën dy vite, kanë zbuluar hetimet. Nga ky qytet në kufi me Spanjën, droga mbushte tregjet e të paktën 5 shteteve, mes tyre edhe Gjermania.

Dërgesa e fundit prej më shumë se 1 ton, vlerësohet rreth 100 milionë euro, sipas medieve kolumbiane. Pas mbërritjes nga Kolumbia me charter në Francë, droga u transportua në një rezidencë në Lacanau, një vendpushim i vogël turistik, 10 kilometra nga Atlantiku. Atje, ngarkesa u nda në shtatë paketime për tu zhvendosur më tej me makina luksoze në një hotel në qendër të Bordosë, ku edhe u sekuestrua.

Një vulë e një demi të kuq është vënë re në paketimet e kokainës, shenjë dalluese kjo e një grupi të fuqishëm droge në Kolumbi e përbërë nga ish anëtarë të Forcave Revolucionare të Armatosura të Kolumbisë.