Arben LLALLA

Sot termi Maqedonia është bërë shumë elastik dhe kushdo mund ta përdori sipas qejfit. Greqia nga Kozani në Thraqi e quan Maqedonia e Egjeut dhe në qytetin e Selanikut funksionon ministria me emërtimin Ministria e Maqedonisë dhe Thraqit, që ndoshta është themeluar para 100 vitesh. Në Bullgari ekziston Maqedonia e Pirinit. Ndërsa fqinje me Bullgarinë, Serbinë, Greqinë dhe Shqipërinë njihet një shtet i pavarur me emrin Republika e Maqedonisë.

Në vitet 1990, pas fillimit të shpërbërjes së Jugosllavisë emri Maqedoni filloi të ngjallte ndjenjat nacionale të sllavëve dhe grekëve të cilët nëpër tavolinat e “kafeve” filluan se kush i pari do ta përvetësojë emrin Maqedoni. Kjo na kujton thënien e njërit nga heronjtë grek Marko Dragumis i cili ishte me origjinë shqiptare dhe ka thënë për Maqedoninë: “Maqedonia i përket kujtdo që e merr”.

Hija e krenarisë së Aleksandrit të madh këtu e 2200 vjet më parë ka bërë që intelektualë sllavë dhe grekë të jenë gjithnjë në garë se kush para syve të botës do të provojë trashëgiminë e “indentitetit kombëtar maqedonas”. Pa harruar se nga prejardhja Aleksandri ishte shqiptar, i linduar nga një nënë ilire Olimbia dhe gjyshja nga babai ishte ilire Eurodika që vinte nga fisi ilir i Lynkestëve.

Deri në vitin 1990 për grekët nuk kishte pasur ndonjë problem emrin i Republikës së Maqedonisë, ata ishin pajtuar në heshtje se njëra nga Republikat e Jugosllavisë të quhej Republika e Popullore e Maqedonisë. Por pas vitit 1990 nuk ekziston më Jugosllavia e madhe, por kemi një Greqi të fortë në krahasim me Republikën e Maqedonisë e cila kërkon të jetë anëtare e NATO-s dhe BE, dhe Greqia ka dhjetëra vjeçar që është anëtare e këtyre dy organizatave të fuqishme. Problemi për emrin Maqedoni ende vazhdon të jetë jo vetëm shqetësim i dy vendeve, por edhe i organizatave ndërkombëtare që disa herë janë vënë në siklet se kush e ka të drejtën për ta trashëguar emrin e Maqedonisë antike, Greqia apo Republika e Maqedonisë tashmë e njohur botërisht.

Prapaskenat greko-serbe për ndarjen e Maqedonisë

Në fillim të viteve 1990 Maqedonia ankohej nëpër organizatat ndërkombëtare për shkeljen e të drejtave të maqedonasve në Greqi. Në të vërtetë në brezin kufitar midis Greqisë dhe Maqedonisë nga krahu grek ka disa fshatra që janë sllavofonëse dhe kanë lidhje shpirtërore më Maqedoninë.

Aty nga vitet 1992-1994 në Follorinë një prift grek deklaroi që ishte maqedonas dhe hodhi themelet e një kishe ortodokse maqedonase, por gjatë një bisede në një nga kanalet televizive greke ky prift u arrestua në studion e TV dhe nuk dëgjova më për fatin e tij. Pas disa kohësh nga njerëz të panjohur u rrahën dy plaka në Follorinë dhe siç u morr vesh më vonë ato ishin motrat e priftit të deklaruar maqedonas.

Greqia duke u përballur në një situatë të tillë dhe të zymtë u afrua edhe më shumë me politikën raciste serbe. Kështu në vitet 1991-1994 Greqia ra politikisht brenda në kurthin e Millosheviçit dhe politikanëve të tjerë serb që ishin iniciatorët e luftërave në ish-Jugosllavinë.

Në vitet 1991-1994 Millosheviçi gjatë intervistave që jepte për gazetat greke deklaronte për kufijtë e përbashkët serbo-grek, pra ai u premtonte grekëve se Maqedoninë do ta ndanin midis tyre. Kështu që grekët jetonin emocione të madhe se më në fund u gjet shpëtimtari për të gllabëruar Maqedoninë. Ato vite nëpër rrugët e Selanikut ndeshje parulla të mëdha kur shkruhej: “Maqedonia është greke”. Në Selanik u organizuan protesta ku mijëra grekë protestonin për emrin e Maqedonisë dhe flamurit të saj. Vallë nuk kishte ekzistuar për grekët 45 vjet Republika Popullore e Maqedonisë?! Pse pas shpalljes së pavarësisë së Maqedonisë grekët u shqetësuan për emrin MAQEDONI?

Politikanët dhe një pjesë e popullit grek u rreshtua publikisht në anën e serbëve gjatë luftës në Bosnjë, pati edhe nga ata grekë që shkuan vullnetarë për të luftuar përkrah serbëve kundra myslimanëve boshnjakë. Pas lufte këta grek endeshin nëpër rrugët e Greqisë duke u çjerrur për trimëritë që kishin treguar në luftën e Bosnjës. Flitet se rreth 100 grekë kanë marrë pjesë në luftën e Bosnjës përkrah “vëllezërve” të tyre serbë.

Shumë shpejtë emocionet e grekëve për kufirin serbo-grek të premtuar nga Millosheviçi u shuan. Millosheviçi jo vetëm nuk dëshironte ndarjen e Maqedonisë, por ndihmoi në pavarësinë e saj duke pasur fqinje një Maqedoni paqësore dhe aleate e Serbisë. Grekët ishin të ndërgjegjshëm se nuk do të mundnin kurrë të gllabëronin ndonjë pjesë të Maqedonisë, sepse do të përballeshin me shumë fronte lufte si me shqiptarët, bullgarët dhe hanxharin turk që u rin mbi kokat e tyre. Kështu që Greqia preferoi më mirë sanksionet ekonomike kundër Maqedonisë. Por siç doli më vonë më shumë u dëmtua ekonomia greke se ajo maqedonase sepse Maqedonia filloi furnizimin e mallrave që kalonin nëpërmjet Greqisë ti kalonte nëpër pikave kufitare me Shqipërinë. Grekët e kuptuan se më mirë do të mundnin “ta pushtonin” Maqedoninë dhe Ballkanin duke luajtur me letrën e tregtisë se sa atë të presioneve politike dhe ushtarake. Në qytetin e Manastirit një grek ka hapur një rrobaqepësi ku sipas deklaratës së tij për një televizion grek në vitin 2000 tha se kishte mbi 80 gra maqedonase të punësuara ku u kishte krijuar kushte për të mësuar gjuhën greke falas.

Në përfundim

Pas krijimit të shtetit të pavarur maqedonas me vetëdije kombëtare dhe me nacionalizëm të veçantë u pa se sllavo-maqedonasit kishin më shumë armiq se sa miq. Kështu maqedonasit kishin kundërshtarë grekët, bullgarët dhe serbët të cilët përpiqeshin ti asimilonin, ndërsa të vetmit që nuk kanë pretendime për thithjen e kulturës dhe kombit maqedonas janë shqiptarët të cilët e pranojnë ekzistimin e kombit maqedonas, por kërkojnë që të zbatohen ligjet për të drejtat e njeriut në Republikën e Maqedonisë si njohjen zyrtare të gjuhës shqipe dhe flamurit kombëtar.

Ndërsa Greqia e ka kuptuar se nuk ka asnjë përfitim nga mënyra e lojës për mos njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe mos njohjen e emrit të Maqedonisë. Por ajo e ka të vështirë të pranojnë se roli i saj politik dhe ushtarak nuk ka më fuqinë e viteve të mëparshëm, prandaj mundohet me presionet politike nëpër organizatat e NATO-s dhe BE-s të tregojë se është një forcë me ndikim në Europë dhe Ballkan. Ka gjaza që shumë shpejtë Greqia do ta njohë Maqedoninë me emrin Maqedonia e Re dhe këtë emër do të përdoret në marrëdhëniet dypalëshe.