Maqedonia ndodhet në vendin e 64-të sipas Indeksit për bujari dhe në vendin e dytë sipas kërcimit të realizuar në atë sferë në vitin 2016 në krahasim me vitin 2015.

Kërcim më të madh se ajo, ka realizuar vetëm Bosnja e Hercegovina.

Në studimin për bujari, në të cilin janë përfshirë 140 shtete, janë marrë parasysh tre kategori: gatishmëria për të ndihmuar një të huaj, donacione në para dhe koha në punë vullnetare për qëllime humanitare.

Sipas të dhënave të fituara, vendi i njerëzve më bujar është Mianmari, përderisa në vendin e dytë dhe të tretë janë Indonezia dhe Kenia.

Sipas të dhënave të fituara gjatë hulumtimit, 91 për qind e banorëve të Mianmarit gjatë vitit të kaluar kanë dhënë para për qëllime humanitare, 53 për qind kanë ndihmuar ndonjë të huaji, ndërkaq 51 për qind kanë kryer punë vullnetare. Altruizmin e vet, banorët  ia referojnë budizmit, i cili predikon modesti dhe jetesë si murgjit.

Në fundin tjetër të listës është Jemeni, vendi më pak bujar, ku vetëm 31 për qind e të anketuarve kanë ndihmuar ndonjë të huaj, tre për qind kanë dhënë para për qëllime humanitare, ndërsa gjashtë për qind kanë kryer punë vullnetare. Prej tyre më bujare janë Kina, më pas Lituania, Maroku, Gjeorgjia, Kamboxhia, Madagaskari dhe Serbia.

Më bujarët në rajon janë sllovenët të cilët janë në vendin e 58-të, më pas shtetasit e BeH-së të cilët janë në vendin e 59-të, shtetasit e Maqedonisë në vendin e 64-t, shtetasit e Kosovës në vendin e 65-të, shtetasit e Shqipërisë në vendin e 94-t, malazezët në vendin e 110-të, grekët në vendin e 114-të, kroatët në vendin e 121-të, bullgarët në vendin e 127-të dhe më pak bujarët në rajon janë serbët, të cilët ndodhen në vendin e 132-të nga gjithsej 140 vende të përfshira në studim.