Qeveria e Maqedonisë ka kundërshtuar ndarjen e mjetëve nga ana e Qeverisë së Kosovës për familjarët e të dënuarave në rastin ‘Kumanova’.

Këto shqetësime i ka shprehur ministri i Jashtëm i këtij shteti, Nikolla Dimitrov gjatë një takimi që ka pasur me ministren e Integrimeve të Kosovës, Dhurata Hoxha, në suaza të Konferencës rajonale “Ndërtimi i kapaciteteve dhe bashkëpunimit rajonal në procesin e integrimit evropian të shteteve të Ballkanit Perëndimor”, e cila këto ditë mbahet në ministrinë e Punëve të jashtme të Maqedonisë.

Ministri Dimitrov vlerësoi se vendimi i Qeverisë së Kosovës për ndarje të mjeteve financiare për përkrahje materiale të familjeve të personave të dënuar, shtetas të Kosovës, nuk është në pajtim me vlerat evropiane dhe ndërtimit të ardhmërisë evropiane të rajonit që bazohet në sundimin e të drejtës, gjë që është interes i përbashkët i të dy shteteve

Në këtë takim u shkëmbyen mendime për bashkëpunimin rajonal dhe atë bilateral, të cilët shënojnë rritje në periudhën e fundit.

Në atë kontekst, u bisedua për mundësitë për avancim të bashkëpunimit me Republikën e Kosovës në planin e integrimeve evropiane dhe për ofrimin e përvojave të fituara të Republikës së Maqedonisë në atë drejtim.

Qeveria e Kosovës të premten ka ndarë 290 mijë euro për familjarët e të dënuarëve në rastin ‘Kumanova’.