Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka qëndruar gjatë ditës së sotme në Shkup ku mori pjesë në konferencën rajonale vjetore me temën “Ndërtimi i kapaciteteve dhe bashkëpunimi rajonal në procesin e integrimit evropian në Ballkanin Perëndimor”. Hoxha, siç njofton MIE, ka theksuar se procesi i integrimit evropian mbetet një nga qëllimet kryesore të politikës së jashtme të Kosovës.

Ajo po ashtu ka theksuar se vazhdimi i konsolidimit demokratik, përmirësimi i sundimit të ligjit dhe respektimi i të drejtave të njeriut dhe krijimi i një ekonomie tregu funksionale, janë detyrat parësore të institucioneve të Kosovës.

Ministrja Dhurata Hoxha, është takuar edhe me zëvendëskryeministrin për Çështje Evropiane, Bujar Osmani, ku u tha se Kosova dhe Maqedonia do të vazhdojnë të jenë vende mike për njëra-tjetrën dhe partnere të rëndësishme në shumë sektor, përshirë edhe Integrimin e Kosovës drejt BE-së.

Shkëmbimi i përvojave në kuadër të procesit të integrimeve euro-atlantike, janë të mirëseardhura deklaroi ministrja Hoxha e cila ka shtuar se kane diskutuar për bashkëpunimin e ndërsjellë me Maqedoninë në fushën e integrimit evropian.

Veç takimit me Osmanin, Hoxha është takuar edhe me kryediplomatin e Maqedonisë, Nikolla Dimitrov, takim në të cilin, sipas komunikatës për media të MIE-së, është vlerësuar lartë bashkëpunimi në mes të dy shteteve fqinje, por në të njëjtën kohë është potencuar edhe nevoja e diplomacisë maqedonase në procesin e integrimit evropian të Kosovës.

“Kosova ende e ka të nevojshme mbështetjen e diplomacisë së Maqedonisë sa i përket rrugëtimit drejt familjes evropiane por edhe tek njohja e shtetësisë së Kosovës nga ato vende të cilat ende nuk e kanë bërë një gjë të tillë”, ka thënë Hoxha.

Ndërkaq, sipas komunikatës së MIE-së, ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë, Nikolla Dimitrov, ka konfirmuar bashkëpunimin e shtetit të tij me Kosovën edhe më tej.
“Maqedonia si shtet fqinj, do të jetë çdo herë përkrah Kosovës në politikën e jashtme por edhe për ta ndihmuar shtetit e juaj në rrugën drejtë integrimit evropian për Kosovën”, deklaroi ministri Dimitrov.

Por, ajo që MIE nuk ka treguar të jetë prekur në këtë takim është reagimi i shtetit maqedonas në lidhje me vendimin e djeshëm të qeverisë së Kosovës për të ndarë nga 10 mijë euro për familjet e shqiptarëve të Kosovës të dënuar në Maqedoni për aksionin e vitit të kaluar në “Lagjen e Trimave”.

“Vendimi i qeverisë së Kosovës për t’u ndarë nga 10 mijë euro familjeve të të dënuarve të ‘Lagjes së Trimave’ nuk është në shpirtin e ndërtimit të së ardhmes evropiane për rajonin për sa i përket sundimit të ligjit, që është interes i përbashkët i të dyja vendeve”, ka thënë ministri maqedonas, Dimitrov, në takimin e sotëm me ministren Dhuarta Hoxha, raporton mediumi maqedonas “Fokus”, transmeton Koha.net.

Kujtojmë se dje, Qeveria e Kosovës në mbledhjen e saj të rregullt, ka marrë vendim që të ndajë rreth 300 mijë euro për familjet e shtetasve të Kosovës të dënuar e të vrarë në Maqedoni.
“Qeveria në mbledhjen e sotme (10 nëntor) ka ndarë 290 mijë euro për mbulimin e shpenzimeve për familjet e shtetasve të Kosovës, të dënuar dhe të vrarë në Maqedoni në rastin e njohur si ‘Kumanova’”, thuhet në vendimin e Qeverisë së Kosovës.
Në fillim të këtij muaji, shtatë pjesëtarë të Grupit të Kumanovës u dënuan me burgim të përjetshëm, të tjerëve gjithsej 746 vjet burgim, ndërkohë që vetëm katër prej tyre u liruan nga aktakuza.