Maqedoniа ka gjasa të mbetet pa mjekë specialistë. Për dy vjet, më shumë se dy mijë mjekë specialistë do të dalin në pension, por nuk do të ketë kush t’i zëvendësoj, sepse specialistët e rinj, për shkak të pagave të ulëta, po ikin jashtë vendit. Ata që mbeten janë të paktë, dhe aq më i vogël është numri i atyre që mund ti zëvendësojnë. Gjendja më kritike është në Klinikën e Endokrinologjisë e cila tani po përballet me mungesë të kuadrit.

Ne presim një largim të madh të potencialit mjekësore, dhe sidomos të të rinjve. Deri në vitin 2020, ka shumë mjekë të cilët do ta përfundojnë karrierën e tyre dhe ne nuk kemi as për së afërmi kuadër për ti zëvendësuar ata, si dhe as në horizont nuk duken kuadro të reja që ti zëvendësojnë ato- deklaroi Nenad Lazov – Shoqata e specialistëve dhe mjekëve të rinj .

Disa specialistë konfirmuan për Alsat M se për shkak të mungesës së kuadrit paraqitet problem edhe në sistemin “Termini im.” Ata thonë se çdo ditë përveç pacientëve nga “Termini im” duhet ti kontrollojnë mbi 10 pacientë me udhëzime me priporitet. Ata thonë se e tejkalojnë për dy ose tri herë mesataren ditore për pacientë të kontrolluar. Nga shoqata e mjekëve të rinj dhe specialistët thonë se që të motivohen mjekët e rinj, që të punojnë në klinikat duhet tu jepen paga dhe të paguhen, për kujdestaritë. Aktualisht në klinikat e të gjithë vendit punojnë rreth 700 specializantë aktiv. Por, dy të tretat e tyre nuk marrin asnjë pagë. Ajo i demotivon që të qëndrojnë në Maqedoni dhe shpëtimin e kërkojnë jashtë vendit. Nga Ministria e Shëndetësisë për këtë problem dolën me një koment të përgjithshëm:

Është bërë analizë e detajuar e kuadrit ekzistues dhe nevojat reale të institucioneve shëndetësore publike për të plotësuar kuadrin. Sipas prioriteteve, Ministria e Shëndetësisë, në bashkëpunim me autoritetet e tjera kompetente në përputhje me rrethanat do të ndërmarrë aktivitete që gradualisht dhe sistematikisht ta tejkalojë mungesën e specialistëve- thuhet nga Ministria e Shëndetësisë.

Problemi filloi të shfaqet pasi viteve të fundit shteti nuk miratonte specializime, dhe disa nga mjekët shkonin të profesionalizohen me shpenzimet e tyre, pa asnjë detyrim që pastaj të qëndrojnë në shëndetin publik.