Maqedonia dhe Greqia po tregojnë vendosmëri gjithnjë e më të madhe në gatishmërinë për zgjidhjen përfundimtare të kontestit me emrin, ndërkaq edhe një konfirmim është pritja e kryeministrit Zoran Zaev që takimi i parë i negociuesve me ndërmjetësin Methju Nimic të mbahet më 20 apo 21 nëntor, por edhe takimi i djeshëm i ministrave të punëve të jashtme të të dy vendeve.

Zaev këtë pritje e shfaqi dje, duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve pas takimit në Lubjanë me kryeministrin slloven, Miro Cerar. Ai foli për rrjedhën e mëtutjeshme të integrimeve evropiane dhe euroatlantike të Maqedonisë, me ç’rast përmendi se në atë drejtim, para së gjithash fokusi vihet në zgjidhjen e kontestit me Greqinë.

“Kjo me të vërtetë është çështje aktuale edhe në Maqedoni. Ishte logjike që pas përfundimit të zgjedhjeve lokale të bëhet tentim i ri për zgjidhje të këtij problemi thelbësor apo të ndjeshëm, të cilin e ka Republika e Greqisë me emrin tonë kushtetues, ndërkaq i cili njëkohësisht është pengesë për proceset tona integruese. Proceset tashmë fillojnë, më 20 apo 21 nëntor presim të bëhet takimi i parë mes negociuesve nga të dyja vendet, me ndërmjetësin Methju Nimic”, tha Zaev.

Nikolla Dimitrov dhe Nikos Koxias u takuan dje në margjina të takimit të shefave të diplomacive të të dy vendeve nga BE-ja në Bruksel.

Çdo takim i ardhshëm i dy ministrave, të cilët i intensifikuan kontaktet gjatë periudhës së kaluar, bartë elemente të reja për themelet të cilat ndërtohen dhe të cilat do të jenë pikë nisëse për negociatat e ardhshme për zgjidhje të kontestit.

Modalitetet e komunikimit mes dy vendeve, si dhe mekanizmat e komunikimit në kuadër të Bashkimit Evropian ishin pjesë e temave për të cilat dje i biseduan Dimitrov dhe Koxias.

“Biseduam për çështje lidhur me komunikimet, mekanizmat e komunikimit në BE, me ç’rast potencova se duhet të kemi politikë të drejtë në mënyrë që të kemi komunikim të drejtë”, tha Koxias pas takimit.

Ministri grek i Punëve të Jashtme gjatë fundjavës para nisjes në Bruksel deklaroi se Greqia dëshiron të zgjidhet çështja për emrin, ndërkaq gatishmëri për atë paraprakisht shprehën edhe Dimitrov edhe kryeministri Zoran Zaev.

Me masat për ndërtim të besimit dhe hapje të rrugës për gjetje të zgjidhjes përputhet edhe vizita e ardhshme, të enjten, e prefektit të Selanikut, Janis Butaris në Shkup, edhe pse ai mohon se vizita e tij është e lidhur me kontestin për emrin.

Ne nuk merremi me politikë të jashtme, Përpiqemi me diplomaci mes qyteteve t’i afrojmë qytetarët e të dyja vendeve dhe bashkërisht të punojmë për zgjidhje të disa problemeve që i kemi si fqinj”, thotë Butaris.

Ai nuk dëshiron ta komentojë kontestin për emrin para vizitës në Shkup, edhe pse, përkujton “Katimerini”, në të kaluarën është deklaruar se është për emër me përcaktor si zgjidhje e mundshme.