Sulmuesi i Manchester United, Romelu Lukaku nuk do të vuajë asnjë pezullim për goditjen ndaj mbrojtësit të Brightonit, në suksesin e “djajve të kuq” të shtunën.

Pamjet e analizuara filmike treguan futbollistin me ngjyrë që godiste rivalin në minutën e 66, në një goditje këndi që solli më pas edhe golin e fitores nga Ashley Young.

Mediet angleze raportojnë tashmë se, Disiplina nuk do të marrë në konsideratë episodin, pasi 3 vëzhgues të ndryshëm e cilësuan si një përplasje normale, që ndodh thuajse çdo javë në Premier League.

Nëse Romelu Lukaku do të ngarkohej me “sjellje agresive” në fushë, me shumë gjasë nuk do t’i shpëtonte dënimit me 3 ndeshje pezullim.

Futbollisti, që i kushtoi Manchester United plot 80 milionë euro, ka shënuar 12 gola deri më tani në të gjitha kompeticionet, që kur u transferua nga Evertoni.

Sfidat e radhës për të me fanellën e “djajve të kuq” janë ndaj Watfordit, të martën, si dhe ndaj Arsenalit e Manchester Cityt, me derbin e programuar më 10 dhjetor.