Miq dhe kolegë të ish-mesfushorit të Celtic, Liam Miller, janë të gjithë përkrah tij në një moment të vështirë për 36-vjeçarin, i cili është duke luftuar me sëmundjen e kancerit.

Miller e nisi karrierën e tij futbollistike në Parkhead, para se të transferohej te Manchester United. Ish-lojtari i Kombëtares irlandeze, i cili u lind në qytetin e Cork, në karrierën e tij ka mbajtur veshur edhe fanellën e Sunderland, Leeds dhe Hibernian, për tu transferuar më pas edhe në Australi dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

U rikthye në vendlindjen e tij vetëm dy vite parë bashkë me familjen, bashkëshorten dhe tre fëmijët, pas impenjimit me amerikanët e Wilmington Hammerheads.

36-vjecari është diagnostikuar me kancer në pankreas dhe ka nisur seancat e kimioterapisë. Kanë qenë të panumërta mesazhet e miqve dhe kolegëve të tij, të cilët e kanë shpërndarë lajmin për gjendjen e Miller edhe në rrjetet sociale, duke shprehur të gjithë mbështetjen e tyre për të dhe duke u shfaqur besimplotë se ai do ta fitojë këtë luftë të vështirë me sëmundjen.