Me rastin e 22 Nëntor Ditës së Alfabetit të Gjuhës Shqipe në Maqedoni shënohet 109 vjetori, dhe në këtë rast Zëvendëskryeministri i Maqedonisë, Hazbi Lika do të organizojë një sërë aktivitetesh të ndryshme.

“Ngjarja kryesore për shënimin e kësaj date të rëndësishme për Kombin Shqiptarë, do të mbahet në Shkup dhe Manastir. Në Shkup nën organizimin tim do të mbahet dhe një akademi e tillë solemne për arsimin shqip, që për herë të parë në Qeveri mbahet një akademi e tillë, ndërsa ngjarja kryesore është në Manastir me datë 22 nëntor, ku mbahet eventi solemn tradicional. Njëkohësisht në vazhdën e këtyre aktiviteteve me 21 Nëntor në Manastir do të jetë një tribunë shkencore, ku bashkërisht ose në bashkëpunim me Institutin për trashëgimi kulturore, shpirtërorë të shqiptarëve do të marrin pjesë akademik dhe gjuhëtarë të trojeve shqiptare si Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni”, u shpreh zëvendëskryeministri Hazbi Lika.

Ai gjithashtu u zotua që siguria e objektit të Kongresit të Manastirit do të jetë në nivel të lartë, por edhe nuk e la pa e cekur që edhe festa e 28 Nëntorit mundë të jetë në nivel si ajo e 22 nëntorit, dhe tha që kjo bisedë do të hapet dhe pse jo të jetë edhe festë shtetërore meqë në kushtetutë jemi pjesë e Popullit Shqiptarë.