Ligji për përdorimin e gjuhëve ishte marrëveshje midis partnerëve të koalicionit që krijuan shumicën e re parlamentare, prandaj miratimi i tij me të drejtë është futur si prioritet në programin dhe planin 3-6-9 të qeverisë.
Kështu vlerëson eksperti juridik, Naser Zyberi, sipas të cilit ky ligj krijon kohezionin dhe stabilitetin e brendshëm që është më se i nevojshëm për zbatimin e reformave nga raporti i Pribesë.
“Pa Ligjin për avancimin e përdorimit të gjuhës shqipe nuk mund të ketë qeveri dhe pa qeveri nuk mund të ketë reforma të cilat burojnë nga raporti i Pribesë dhe që janë kusht për avancimin e Maqedonisë në drejtim të UE-së dhe NATO-s. Pa marrë parasysh qëndrimin e komisarit Han dhe cilitdo faktor tjetër, Ligji për përdorimin e gjuhëve është i nevojshëm për kohezionin e brendshëm dhe stabilitetin e qeverisë pa të cilin nuk mund të kemi reforma as në planin ndërkombëtar”,- deklaroi eksperti juridik, Naser Ziberi.
Zyberi beson se shumica parlamentare do të ngelet në substancën e ligjit, pasi, sipas tij, amendamentet e dorëzuara nga VMRO-DPMNE ndryshojnë tërësisht atë.
“Amendamentet e VMRO-DPMNE-së paraqesin zhbërjen e tërë ligjit dhe kthim në gjendjen e mëparshme, prandaj jam i bindur që shumica parlamentare do të mbetet konzistente që ta mbështesë propozimin e qeverisë si rezultat i një marrëveshjeje mes subjekteve që formojnë shumicën parlamentare dhe mbështesin qeverinë dhe ndoshta do të mbështesin ndonjë amendament të LSDM-së në kuptimin teknik, por në asnjë mënyrë të cenojë substancën e ligjit, sepse kjo do të shkaktonte pastaj mosmarrëveshje mes partnerëve të koalicionit dhe mund të ketë pasoja serioze për stabilitetin politik të vendit”,- tha eksperti juridik, Naser Ziberi.
Ligji për përdorimin e gjuhëve ndodhet në procedurë parlamentare, ka kaluar leximin e parë dhe deputetët me shumicë votash kanë mbështetur nevojën për miratimin e tij, ndërkaq pason shqyrtimi i amendamenteve nga partitë politike./TVM2