Deputetët në Kuvendin e Maqedonisë sot duhet ta vazhdojnë debatin për Propozim ligjin për përdorimin e gjuhëve në kuadër të mbledhjes së 23-të që ishte ndërprerë për shkak të fillimit të fushatës për zgjedhjet lokale.

Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi të premten paralajmëroi se debati kuvendor për ligjin për gjuhët mund të ndërpritet vetëm nëse vjen propozimi për plotësim të vendeve ministrore në Qeveri të Arben Taravarit dhe Ramiz Merkos të cilët në zgjedhjet lokale ishin zgjedhur kryetarë të komunave.

Kuvendi para zgjedhjeve mbajti gjashtë vazhdime të mbledhjes së 15-të në të cilat u diskutua për ligjin për gjuhët.

Në rrjedhën e deritanishme të debatit për këtë ligj dhe të debateve të komisioneve edhe në vazhdimet e mbledhjeve plenare, opozita akuzoi se ligji është jokushtetues, se me të shkelen procedurat dhe se zbatimi i tij do të sjellë deri në dygjuhësi në gjithë shtetin, ndërkaq diskriminohen edhe bashkësitë më të vogla etnike. Shumica parlamentare, ndërkaq, pohon se ligji do të kontribuojë për rritje të bashkëjetesës në shtet, nuk e cenon karakterin unitar të shtetit dhe është në pajtueshmëri me Kushtetutën.

Sipas arsyetimit nga Ministria e Drejtësisë, qëllimi themelor për miratimin e ligjit është zbatim konsekuent i amendamenteve kushtetuese në tekstin e ligjit lidhur me përdorimin dhe zbatimin e gjuhës  dhe alfabetit të kësaj gjuhe që e flasin së paku 20 për qind e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë. Njëherit rregullohet edhe përdorimi i gjuhëve të tjera në të cilat flasin qytetarët e bashkësive të cilat janë më pak se 10 për qind.

Siç qëndron në arsyetimin e Propozim-ligjit, në tërë territorin e shtetit dhe në marrëdhëniet e tij ndërkombëtare krahas gjuhës maqedonase dhe alfabetit të saj cirilik gjuhë zyrtare është edhe gjuha që e flasin së paku 20 për qind e qytetarëve dhe alfabeti i saj në mënyrë të caktuar me këtë ligj. Në të gjitha organet e pushtetit shtetëror, institucionet qendrore, ndërmarrjet publike, agjencitë, drejtoritë, entet dhe organizatat, komisionet, personat juridik që kryejnë autorizime publike dhe institucione të tjera krahas gjuhës maqedonase dhe alfabetit të saj është edhe gjuha që e flasin së paku 20 për qind e qytetarëve të RM-së. Për përdorimin e gjuhës që e flasin më pak se 20 për qind e qytetarëve në njësitë e vetëqeverisjes lokale vendosin organet e njësive të pushtetit lokal.

Parashihet që qytetarët të kenë të drejtë të përdorin cilëndo nga gjuhët e përmendura zyrtare dhe alfabetet e tyre dhe se institucionet kanë obligim t’ua mundësojnë qytetarëve shfrytëzimin, përdorimin dhe zbatimin e atyre gjuhëve zyrtare dhe alfabeteve të tyre.

Me ligjin e propozuar rregullohet edhe përdorimi i gjuhës nga ana e funksionarëve të zgjedhur apo të emëruar në institucionet e cekura në ligj, si dhe institucione të tjera selia e të cilave është në Shkup apo komuna në të cilat së paku 20 për qind nga qytetarët flasin gjuhë të ndryshme nga gjuha maqedonase, në komunikimin e tyre zyrtar e përdorin gjuhën maqedonase dhe alfabetin e saj cirilik dhe alfabetin e gjuhës që e flasin së paku 20 për qind e qytetarëve. Në mes të tjerash rregullohet edhe përdorimi i gjuhëve në Kuvend, në Qeveri, si dhe shkrimi i emërtimeve në institucione.